**Aksident i rëndë në Shkup: Përplasen tre automjete dhe një autobus, disa persona të lënduar**

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në mëngjes në zonën e Belvit në Shkup. Sipas informacioneve fillestare të portalit “Skopje1”, në këtë përplasje masive janë përfshirë tre automjete dhe një autobus.

Menjëherë pas ngjarjes, një ekip i Ndihmës së Shpejtë ka ndërhyrë në vendngjarje, duke u ofruar ndihmë mjekësore tre personave të lënduar, të cilët më pas janë transportuar në spital, raporton “Pa Censurë”.

Nga forca e madhe e goditjes, njëri prej automjeteve është përmbysur dhe ka goditur parmakun mbrojtës anash rrugës. Pjesë të shkapërderdhura të mjeteve të përfshira në aksident shihen të shpërndara në rrugë.

Për momentin, nuk ka informacione të detajuara mbi shkallën e lëndimeve të personave të shtruar në spital, si dhe mbi shkaqet që çuan në këtë përplasje të rëndë, transmeton po ashtu “Pa Censurë”.

Më shumë informacione priten të dalin nga Ministria e Punëve të Brendshme pas përfundimit të hetimeve në vendin e ngjarjes.