Aksident fatal në magjistralen Gjakovë-Klinë: Humb jetën 47-vjeçari, përfshihet edhe një kamionetë e FSK-së

Një 47-vjeçar ka humbur jetën sot në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Gjakovë – Klinë, ku janë përfshirë një veturë dhe një kamionetë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, e cila detajoi se viktima ishte i moshës 47-vjeçare.

Sipas deklaratës së Krasniqit, incidenti ka ndodhur më 26 maj 2026, rreth orës 14:00. “Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamionetë, ku fillimisht tre persona morën trajtim mjekësor. Rreth orës 18:30, u njoftuam se njëri prej të lënduarve, një mashkull 47-vjeçar, si pasojë e lëndimeve të marra nga ky aksident, kishte ndërruar jetë,” citohet ajo.

Njësia Rajonale e Trafikut ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për hetimin dhe menaxhimin e rastit.