Kryeministri Albin Kurti ka theksuar nevojën për korrigjimin e aktgjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke shpjeguar se për të, ky veprim nënkupton shpalljen e tyre të pafajshëm.
Ai theksoi se “ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”. Kjo deklaratë erdhi më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Kërkesën për “korrigjim” të vendimit, Kurti e përsëriti edhe gjatë takimeve në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Përdorimi i termit “korrigjim” nga kryeministri shkaktoi reagime dhe kritika të ndryshme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u mundua të sqarojë deklaratën e shefit të tij. Ai theksoi se “korrigjimi” në këtë kontekst mund të nënkuptojë edhe kthimin në pikën zero dhe rënien e akuzave.
Rrustemi citoi kryeministrin të ketë bërë dhjetëra deklarata gjatë qëndrimit në SHBA, duke e quajtur vendimin “të padrejtë dhe të papranueshëm”. Ai shtoi se Kurti ka folur për nevojën e një strategjie shtetërore dhe mobilizim në shkallën e dytë të gjykimit për t’u përballur me këtë vendim. “Korrektimi është edhe me u kthye në pikën zero. Po flasim për thellësinë e korrigjimit. Për mua përmirësim është me u shpallë të pafajshëm, me ra ato akuza dhe që me u kthye të lirë”, shpjegoi Rrustemi.
