Akuzat për zhvatje, Gruda i kundërpërgjigjet Abrashit: A po qeverisni apo po bëni insinuata? Pse nuk arrestoni zhvatësit?

Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, pas deklaratës së këtij të fundit se zhvatja ndaj bizneseve të vogla financohet nga PDK-ja.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Gruda theksoi se deklarata e Abrashit është një diskutim i nivelit rrugor.

“Ne nuk jemi në rrugë. Nuk mund të thuhet ‘janë disa zhvatës biznesesh që financojnë Partinë Demokratike’. A e dini sa e dëmshme është kjo deklaratë, para së gjithash nga pikëpamja politike? Gjithashtu, a e kuptoni sa problematik është ky pohim nga aspekti ligjor dhe konceptual? Si mund të deklaroni ‘ato biznese që kryejnë zhvatje’? A jeni ju në pushtet? Pse ju, zotëri, që e keni shtetin në dorë prej gjashtë vitesh, e dini që ka njerëz që ushtrojnë zhvatje në Kosovë dhe nuk shkoni t’i arrestoni? A e kuptoni se çfarë po flasim, të nderuar qytetarë? Deputeti i pushtetit po thotë se ka persona që ushtrojnë zhvatje dhe financojnë një parti politike, duke fyer kështu partinë politike, ndërkohë që shteti nuk ndërmerr masa,” tha Gruda.

Gruda pati kritikë edhe ndaj kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Cili është roli juaj? A po bëni magji këtu apo po qeverisni? Prandaj, më me kujdes! Mendoj se kryetarja duhet t’i tërheqë vërejtjen deputetit kur bën deklarata të tilla. Nuk mund të thuhet ‘gjobëvënësi financon një parti’. Deputeti ose duhet të zbulojë emrin e atij që ushtron zhvatje, ose të tregojë burimin e atyre parave. Unë mendoj se ky është një diskutim i nivelit rrugor. Nuk flitet kështu si në rrugë, në çajtore apo në kafene,” shtoi ai.