Një 22-vjeçar nga Lezha, i identifikuar me inicialet O.P., është arrestuar sot në Shëngjin, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, ku akuzohet për tentativë vrasjeje.
Urdhër-arresti ndërkombëtar për O.P. ishte lëshuar nga Interpol Madridi, bazuar në vendimin e Gjykatës Juzgado Instruccion 2 në Ibiza, Spanjë, më 18 maj të këtij viti. Ai kërkohet për veprën penale “Vrasje, e mbetur në tentativë”.
Arrestimi i tij u bë gjatë operacionit të koduar “Fast”, të kryer nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale. Ky operacion erdhi pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale me partnerët spanjollë, përmes rrjetit ENFAST. Forcat operacionale siguruan informacion se i riu fshihej në zonën e Lezhës, duke bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në Shëngjin.
Procedurat për ekstradimin e 22-vjeçarit O.P. drejt Spanjës vijojnë.
