Nis në Prishtinë konferenca madhore për Gjykatën Speciale, me pjesëmarrjen e kritikëve ndërkombëtarë të procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Konferenca, e cila konsiderohet si më e madhja e organizuar ndonjëherë për drejtësinë tranzicionale dhe gjykatat ndërkombëtare për konfliktin në Kosovë, do të mbahet sot dhe nesër (10-11 qershor) në Prishtinë. Fokusi kryesor i saj do të jetë Gjykata Speciale (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar).
Ky aktivitet zhvillohet në prag të Ditës së Çlirimit dhe do të shërbejë si një forum thelbësor për diskutimin e Gjykatës Speciale dhe instrumenteve të drejtësisë tranzicionale.
Mes dhjetëra emrave eminentë, burime si gazeta Nacionale bëjnë me dije se në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe personalitete ndërkombëtare, të cilët kanë shprehur kritika të ashpra ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Atje, prej rreth gjashtë vitesh, po vazhdon gjykimi ndaj ish-themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ndër folësit në panele të ndryshme do të jenë Daan Everts, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë; Sir Geoffrey Nice, ish-prokuror në Tribunalin e Hagës kundër Slobodan Millosheviqit; Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë; Nevenka Tromp, studiuese e Tribunalit të Hagës, si dhe shumë figura të tjera që më parë kanë shfaqur qëndrime kritike ndaj Gjykatës Speciale.
Për të diskutuar aspekte të ndryshme të rolit të medias në çështjet e drejtësisë tranzicionale, në konferencë do të marrin pjesë edhe gazetarë të shquar si Tim Judah, korrespondent i revistës “The Economist”; autorja Ana Di Lellio; Dan Perry, ish-drejtor i agjencisë “Associated Press” për Evropën, etj.
