**Incident me dron në Këln: Pezullohen përkohësisht fluturimet në aeroport**
Një dron i detektuar në hapësirën ajrore mbi Aeroportin e Këlnit-Bonit në Gjermani shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të të gjitha fluturimeve gjatë orëve të natës.
Droni u vëzhgua rreth orës 22:00 të premten, më 27 nëntor, duke detyruar autoritetet aeroportuale të pezullonin të gjitha ngritjet dhe uljet. Pas këtij konstatimi, Kontrolli Gjerman i Trafikut Ajror nisi menjëherë verifikimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Pas rreth dy orë e gjysmë ndërprerjeje, pak pas mesnatës, autoritetet miratuan rifillimin e operacioneve. Që nga ai moment, trafiku ajror në Aeroportin e Këlnit-Bonit është rikthyer në normalitet.
Deri më tani, as menaxhmenti i aeroportit dhe as autoritetet e kontrollit të trafikut ajror nuk kanë ofruar informacione të tjera lidhur me dronin e konstatuar, origjinën e tij apo identitetin e personave përgjegjës për drejtimin.
