**NASA rrit masat e sigurisë për astronautët për shkak të rrjedhjeve të ajrit në ISS**

Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, ka njoftuar vendosjen e astronautëve nën masa të shtuara sigurie dhe gatishmërie të lartë, si përgjigje ndaj problemit të vazhdueshëm të rrjedhjeve të ajrit në segmentin rus të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS). Kjo masë vjen gjatë punimeve të riparimit të planifikuara.

Në një deklaratë të publikuar nga zëdhënësja e NASA-s, Bethany Stevens, theksohet se tuneli i transferimit të modulit të shërbimit Zvezda, i njohur si PrK, ka pasur prej kohësh çarje dhe rrjedhje ajri, siç raporton edhe BBC.

Sipas NASA-s, ky problem është menaxhuar deri më tani nga agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos, përmes masave operacionale dhe përpjekjeve të pjesshme riparimi. Megjithatë, çarjet kanë vazhduar të jenë një shqetësim konstant për ekspertët amerikanë.

“Çarjet kanë qenë gjithmonë një çështje që NASA e ka monitoruar nga afër. NASA dhe Roscosmos kanë bashkëpunuar për të përcaktuar shkakun kryesor, ndërsa Roscosmos e ka menaxhuar situatën përmes masave parandaluese dhe riparimeve periodike,” thuhet në deklaratë.

Pas zbulimit të rrjedhjeve të reja, Roscosmos ka vendosur të ndërmarrë një operacion më të gjerë riparimi, i cili ishte planifikuar të zhvillohej të premten, më 5 qershor.

Për arsye sigurie, NASA ka udhëzuar katër anëtarët e misionit SpaceX Crew-12, si dhe astronautin Chris Williams, të qëndrojnë në anijen Dragon dhe të zbatojnë masa të shtuara sigurie gjatë gjithë kohës që kryhen riparimet.

“Si masë paraprake, NASA ka kërkuar që anëtarët e ekuipazhit të mbajnë një nivel më të lartë gatishmërie në anijen Dragon derisa operacioni i riparimit të përfundojë,” theksoi Stevens.

NASA shtoi se po vazhdon bashkëpunimin me partnerët rusë dhe komunitetin ndërkombëtar që mbështet funksionimin e stacionit hapësinor, me synimin për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme dhe afatgjatë për problemin e rrjedhjeve të ajrit.