Pas PDK-së, edhe Aleanca ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit që pritet të mbahet sot në orën 14:00, ku parashihet votimi i Qeverisë së re, me Albin Kurtin të mandatuar për kryeministër.

Nga Aleanca kanë deklaruar se e konsiderojnë të gjithë procesin si jokushtetues dhe kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Ne ofruam marrëveshje. Ata zgjodhën arrogancën. Ne ofruam zgjidhje. Ata zgjodhën krizën”, ka deklaruar Burim Ramadani nga Aleanca.

Ramadani tha se oferta gjashtëpikëshe e Aleancës, e bërë më 26 qershor, kishte për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe stabilitetin, por sipas tij, ajo u refuzua.

“Ne e konsiderojmë këtë proces jokushtetues dhe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Ai konfirmoi se Aleanca nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 14:00, duke e konsideruar atë si jokushtetuese.