Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se është thelbësore që Milan Radoičiq dhe të gjithë të përfshirët në sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë. Në një intervistë për KosovaPress, Rudolph foli edhe për mundësinë e dorëzimit të Radoičiqit nga Serbia, personit që mori përgjegjësinë për ngjarjen e 24 shtatorit 2023, si dhe për lidhjen e kësaj çështjeje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rudolph theksoi se për Gjermaninë, është parësore që të gjithë autorët e sulmit në Banjskë, përfshirë Milan Radoičiqin, të sillen para drejtësisë.

Ai saktësoi se, ndonëse kushtëzimi lidhur me Asociacionin mund të ketë qenë disi ndryshe, thelbësore mbetet kërkesa për drejtësi. “Ajo që është e rëndësishme për ne, dhe e kemi thënë publikisht, është që të gjithë përgjegjësit për ngjarjet e asaj kohe, përfshirë zotin Radoičiq, të përballen me drejtësinë. Ai duhet të sillet para drejtësisë. Këtë e kemi kërkuar vazhdimisht dhe është shumë e qartë se kjo është ajo që presim nga autoritetet serbe,” deklaroi Rudolph për KosovaPress.

Sulmi në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi më 24 shtator 2023, rezultoi me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi e ka marrë vetë Milan Radoičiq.