Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka njoftuar se platforma gjigante globale e udhëtimeve online, “Expedia”, ka korrigjuar pasaktësitë në faqen e saj në lidhje me statusin e Kosovës dhe emërtimin e kryeqytetit.
Sipas njoftimit të ambasadorit, Republika e Kosovës tashmë shfaqet si shtet i pavarur, ndërsa kryeqyteti Prishtina është shënuar saktë, duke zëvendësuar formën e gabuar “Priština”.
Ajeti e ka cilësuar këtë zhvillim si “lajm të jashtëzakonshëm”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkroi: “Falë angazhimit tonë diplomatik, tani e tutje edhe Expedia, platforma gjigante globale e udhëtimeve online, ka korrigjuar pasaktësitë në faqen e saj. Republika e Kosovës tashmë paraqitet si shtet i pavarur dhe kryeqyteti ynë, Prishtina, është shënuar saktë, duke zëvendësuar emërtimin e gabuar ‘Priština’”.
Ambasadori theksoi se Expedia është padyshim një nga faqet më të njohura të udhëtimit në botë, e cila ofron paketa të ndryshme udhëtimi. Pjesë e saj janë edhe platformat globale si Hotels.com dhe Vrbo. Korrigjimet, siç u theksua nga Ajeti, janë bërë në të gjitha këto platforma.
