E ardhmja e Luka Modrićit vazhdon të jetë tema kryesore e diskutimeve në Milan, teksa klubi përgatitet për një verë vendimtare ndryshimesh.
Edhe pse mesfushori veteran është lidhur me destinacione të ndryshme, ardhja e Ruben Amorim ka shtuar edhe më shumë interes rreth situatës së kontratës së tij.
Amorim e ka nisur menjëherë punën te Milani dhe prioriteti i tij i parë është sigurimi i së ardhmes afatshkurtër të lojtarit më me përvojë të skuadrës.
Trajneri portugez nuk e sheh Modriçin thjesht si një lojtar rotacioni, por si një figurë kyçe për kulturën e dhomës së zhveshjes që dëshiron të ndërtojë.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Amorim ka zhvilluar tashmë një bisedë telefonike me reprezentuesin kroat. Ai dëshiron që Modrici të aktivizojë klauzolën për zgjatjen e kontratës edhe për një vit, pasi beson se cilësia e tij teknike dhe mentaliteti fitues mbeten të pazëvendësueshme, pavarësisht moshës.
Megjithëse marrëveshja zyrtare ende nuk është firmosur, mes palëve ekziston një mirëkuptim i plotë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ish-ylli i Real Madrid është përshtatur shumë mirë me jetën në Milano gjatë vitit të fundit, ndërsa kjo është forcuar edhe nga arsye familjare, pasi vajza e tij, Ema, po zhvillohet me sukses në akademinë U13 të Milanit.
Fillimisht, Modriçi kishte disa dyshime për rinovimin e kontratës pasi Milani dështoi matematikisht të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, mundësia për të udhëhequr skuadrën në një fushatë ambicioze në UEFA Europa League, së bashku me sfidën për ta rikthyer klubin historik mes elitës së futbollit evropian, duket se kanë ndryshuar mendimin e tij.
Nëse Modriçi finalizon rinovimin, sezoni i tij i dytë në San Siro do të jetë krejt ndryshe nga ai nën drejtimin e ish-trajnerit Massimiliano Allegri.
Ardhja e Amorimit sinjalizon një kalim drejt një sistemi shumë më ofensiv dhe intensiv, çka do të kërkojë një menaxhim më të kujdesshëm të minutave të 40-vjeçarit.
Nën drejtimin e trajnerit portugez, Modriçi nuk do të ketë më detyrën të luajë çdo minutë të çdo ndeshjeje. Me Milanin që do të përballet me një kalendar të ngarkuar në kampionat dhe në Ligën e Evropës, Amorim synon ta përdorë veteranin në momentet më të rëndësishme, duke shfrytëzuar vizionin dhe cilësinë e tij në mënyrë sa më efikase./GazetaExpress/
