**Anibar 17: Pesë Punëtori Kreative Për Zhvillimin e Animatorëve, Kritikëve dhe Artistëve**

**Pejë** – Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar, në edicionin e 17-të në Pejë, po shpalos një program të pasur me pesë punëtori kreative, duke ofruar mundësi të reja për animatorë, kritikë, artistë dhe fillestarë. Këto punëtori synojnë të zhvillojnë aftësi praktike, të sigurojnë hapësirë krijuese dhe të ofrojnë mundësinë për të publikuar e shfaqur punën e pjesëmarrësve.

Një prej mundësive kryesore është **Punëtoria e Kritikës së Filmit**, një program praktik që synon të mbështesë dhe zhvillojë zërat e rinj në fushën e kritikës kinematografike. Pjesëmarrësit do të thellojnë qasjen e tyre ndaj filmit, do të eksplorojnë teorinë dhe praktikën e kritikës, si dhe do të publikojnë shkrimet e tyre në zinën, revistën dhe faqen zyrtare të Anibarit. Punëtoria do të udhëhiqet nga Amanda Barbour, presidente e “Senses of Cinema”, e cila do të ofrojë mentorim editorial dhe udhëzime praktike. Programi do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe është i hapur për persona mbi 18 vjeç që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Mal të Zi ose Serbi. Kandidatët e përzgjedhur do të kenë të mbuluara shpenzimet e transportit dhe akomodimit. Punëtoria do të mbahet në Pejë gjatë Anibarit, nga 12 deri më 18 korrik 2026. Afati i fundit për aplikim është 8 korrik 2026, duke dërguar një email në amanda@sensesofcinema.com me një CV, një shembull shkrimi prej rreth 300 fjalësh mbi një film dhe një letër motivimi.

Anibar ofron gjithashtu **Punëtorinë e Dizajnit të Zërit në Animacion**, një program treditor i udhëhequr nga kolektivi zvicerano-britanik “Noisy Neighbours”. Kjo punëtori fokusohet në rolin thelbësor të zërit në ndërtimin e rrëfimit filmik dhe është e dedikuar për krijuesit që kanë përfunduar ose janë në fazën e post-produksionit të një filmi të shkurtër të animuar. Pjesëmarrësit do të mësojnë teknikat e regjistrimit të zërit, përdorimin e bibliotekave zanore dhe mënyrat se si dizajni i zërit mund të forcojë emocionin, atmosferën dhe qartësinë narrative. Programi ndërthur ushtrime praktike me mentorim të personalizuar nga Etienne Kompis dhe Aline Schoch. Kjo punëtori merr një rëndësi të veçantë për shkak të mungesës së theksuar të ekspertëve të certifikuar në këtë fushë në Kosovë, duke kontribuar në plotësimin e një nevoje reale të industrisë vendore. Afati i fundit për aplikim është 8 korrik 2026, duke dërguar një email në fellanza@anibar.org me një përshkrim të shkurtër të projektit, fazën aktuale të zhvillimit dhe fragmente të materialit të realizuar.

Në fushën e botimit të pavarur, Anibar prezanton dy punëtori: **”Mega – Zine 02″** dhe **”Punëtorinë e Fanzine #3″**. “Mega – Zine 02”, një program treditor (14-16 korrik) i udhëhequr nga Meara White, u mundëson pjesëmarrësve të zbulojnë procesin e krijimit të një reviste, nga gazetaria dhe dizajni editorial deri te përgatitja për shtyp, duke kontribuar drejtpërdrejt në numrin e dytë të revistës së Anibarit. Kjo punëtori është e përshtatshme për gazetarë, dizajnerë grafikë dhe ata që synojnë angazhimin në botimin e pavarur dhe median kulturore. Paralelisht, “Punëtoria e Fanzine #3”, pesëditore, e udhëhequr nga Marko Dješka (regjisor animacioni dhe artist komik nga Kroacia), i dedikohet ilustrimit dhe botimit DIY në stilin komik. Pjesëmarrësit do të krijojnë një fanzine, duke kaluar të gjitha fazat e procesit, nga ideja fillestare deri te botimi. Kjo punëtori është e hapur për të gjitha moshat, ndërsa akomodimi mbulohet për pjesëmarrësit mbi 18 vjeç që jetojnë jashtë Pejës. Afati i fundit për aplikim për të dyja punëtoritë është 8 korrik 2026, duke plotësuar formularët përkatës online.

Programi edukativ i Anibarit plotësohet me **Punëtorinë e Animacionit me Mix-Media**, e udhëhequr nga Albana Hajdini dhe Leonita Thaqi. Konceptuar posaçërisht për fëmijë, kjo punëtori synon të zgjojë imagjinatën dhe kreativitetin përmes lojës, fotografisë dhe teknikave praktike të animacionit stop-motion. Fëmijët do të mësojnë bazat e vëzhgimit vizual dhe rrëfimit bashkëpunues të historive, duke shndërruar materiale të përditshme në skena të animuara, duke zhvilluar kështu aftësi teknike dhe vetëbesim. Aplikimet për këtë punëtori mbyllen më 3 korrik 2026, duke plotësuar formularin online.

Me një program të gjerë që shtrihet nga kritika e filmit dhe dizajni i zërit, te botimi i pavarur, ilustrimi dhe animacioni për fëmijë, Anibar edhe këtë vit dëshmon se festivali nuk është vetëm një platformë për shfaqjen e filmave, por edhe një qendër ku ndërtohen aftësi, krijohen bashkëpunime dhe formohen brezat e ardhshëm të krijuesve të animacionit në rajon.