Aktorja spanjolle, Penelope Cruz, ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së saj gjatë xhirimeve të filmit Zoolander 2, kur humbi babain e saj papritur nga një atak në zemër.

Në një intervistë, Cruz ka treguar se lajmi i hidhur i erdhi gjatë xhirimeve të natës dhe se vetëm pak orë pas vdekjes, ajo duhej të kthehej në shesh xhirimi për të vazhduar punën në një komedi, pavarësisht gjendjes së rënduar emocionale.

Aktorja ka zbuluar gjithashtu se në të njëjtën periudhë, bashkë-ylli i saj Ben Stiller kishte përjetuar një humbje familjare, pasi edhe nëna e tij kishte ndërruar jetë gjatë xhirimeve, gjë që krijoi një lidhje të veçantë mes dy aktorëve në atë projekt, shkruan DailyMail.

Sipas Cruz, fakti që filmi nuk mund të ndalej pavarësisht tragjedive personale e bëri përvojën edhe më të rëndë, por njëkohësisht krijoi një mirëkuptim të thellë mes saj dhe Stiller, të cilin ajo e kujton edhe sot si një periudhë shumë intensive emocionalisht.

Aktorja ka shtuar se këto përvoja e kanë bërë më të ndërgjegjshme për jetën dhe shëndetin, duke theksuar se momentet e vështira personale shpesh ndodhin paralelisht me kërkesat e industrisë së filmit.