Anna Di Lellio, një ish-gazetare italiane e cila ka shërbyer në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovën e pasluftës, së fundmi ka botuar librin “Lidhja më e fuqishme” së bashku me gazetaren Garentina Kraja. Ky libër dokumenton krimet e luftës dhe dhunën seksuale ndaj grave. Kohët e fundit, Di Lellio është shprehur edhe për Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë në pritje të verdiktit për gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një shkrim të saj për konferencën “Urat e kujtimit”, bashkë-organizuar nga KIPRED dhe organizata “Liria ka emër”, Di Lellio reflektoi mbi punën e saj si komisionere e mediave në Kosovën e pasluftës.

Ajo thekson se çdo diskutim mbi pajtimin, qoftë në Kosovë apo kudo tjetër, duhet të trajtojë pyetje themelore si: “Pajtim mes kujt?” dhe “Pajtim për çka?”.

Autorja Di Lellio gjithashtu ndau mendimet e saj mbi punimet e konferencës, e cila mblodhi shumë ekspertë ndërkombëtarë të drejtësisë tranzicionale. Ajo vuri në dukje se në diskutimin mbi Dhomat e Specializuara, zhvilluar nga ekspertë të drejtësisë, i kishte bërë përshtypje kritika ndaj mungesës së transparencës dhe praktikave të mangëta në mbledhjen dhe vlerësimin e provave.

Di Lellio vlerësoi se diskutimi për Gjykatën Speciale i solli ndërmend paralajmërimin e historianit të Universitetit të Stanfordit, Carlo Ginzburg. Ky i fundit, vite më parë, deklaroi se, “megjithëse historianët dhe gjyqtarët duhet të lidhin me kujdes dëshmitë me provat materiale, logjika gjyqësore e gabuar, e bazuar në prova rrethanore, ndryshe nga gabimet historike të cilat mund të korrigjohen, ka pasoja veçanërisht shkatërruese për njerëzit e pafajshëm dhe për vetë drejtësinë.”