Oberkirch shpallet komuna më atraktive në vend, ndërsa Tavannes renditet e fundit në studimin e revistës “Bilanz”
Cila është komuna më e mirë për të jetuar në Zvicër? Përgjigjen e jep renditja më e re e publikuar nga revista ekonomike “Bilanz”, e cila ka vlerësuar 966 komuna zvicerane bazuar në faktorë si niveli i taksave, infrastruktura, qasja në shërbime dhe pozita gjeografike, përcjell albinfo.ch.
Në krye të listës për vitin 2026 është renditur Oberkirch në kantonin e Lucernit, duke u shpallur komuna më atraktive për të jetuar në Zvicër. Vendbanimi me rreth 5 mijë banorë, i vendosur pranë liqenit Sempach, është ngjitur nga vendi i pestë në të parin, duke zëvendësuar fituesen e vitit të kaluar, Freienbach në kantonin Schwyz.
Rajoni i Zvicrës Qendrore dominoi renditjen, me shtatë komuna të përfshira në mesin e dhjetë vendeve të para.
Oberkirch u vlerësua lart falë kombinimit të natyrës, cilësisë së jetës dhe lidhjeve të mira me qytetet. Banorët përfitojnë nga afërsia me liqenin, pamja drejt Alpeve dhe qasja e shpejtë në qytetin e Lucernit, i cili mund të arrihet për rreth 30 minuta me tren ose makinë.
Përveç kësaj, komuna njihet për jetën aktive shoqërore, numrin e madh të shoqatave dhe ofertën e pasur sportive e kulturore.
“Oberkirch është në hap me kohën, por njëkohësisht ka ruajtur karakterin e saj rural”, ka deklaruar kryetari i komunës, Raphael Kottmann.
Në anën tjetër të renditjes, komuna Tavannes në kantonin e Bernës është pozicionuar në vendin e fundit mes 966 komunave të analizuara.

