Ministria e Mbrojtjes ka anuluar aktivitetin e prokurimit për ofrimin e shërbimeve të ndryshme mjekësore për kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Procedura e ofrimit të shërbimeve ishte paraparë të realizohej përmes një kontrate publike kornizë me kohëzgjatje prej 36 muajsh.
IndeksOnline raporton se vlera e tenderit ishte parashikuar të jetë 27 mijë euro.
Shërbimet ishin planifikuar të realizoheshin në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa sipas Ministrisë, kontrata synonte të kontribuonte në rritjen e operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave që lidhen me misionin e FSK-së.
Dokumentet e tenderit kishin përcaktuar disa kushte specifike për operatorin ekonomik që do të ofronte shërbimet.
Një ndër to ishte që objektet ku do të kryheshin kontrollet mjekësore të mos ishin më larg se 20 kilometra nga kazerma, ndërsa operatori duhej të kishte kapacitet për realizimin e vizitave sistematike për së paku 20 pjesëtarë në ditë.
Përveç kushteve profesionale, operatorëve ekonomikë u ishte kërkuar të dëshmonin kapacitetin e tyre financiar.
Megjithatë, procedura nuk përfundoi me dhënien e kontratës.
Sipas njoftimit për anulim të publikuar nga prokurimi, në këtë aktivitet ishte pranuar vetëm një tender.
Një dispozitë e Ligjit për Prokurimin Publik kishte kërkuar anulimin e aktivitetit të prokurimit, me arsyetimin se oferta e pranuar ishte e papërgjegjshme./IndeksOnline/
