Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte liruar nga akuza Mal Lokajn, i cili akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), nuk e kishte deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor.

Themelorja kishte shpallur aktgjykimin më 21 tetor 2024, duke theksuar se nuk ishte provuar që Lokaj kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj vendimit të Themelores, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë me arsyetimin për vërtetim të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar të ndryshohet aktgjykimi dhe i akuzuari të shpallet fajtor apo çështja të kthehet në rigjykim.

Po ashtu, Prokuroia e Apelit, kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet dhe Lokaj të shpallet fajtor ose çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa në seancën e mbajtur nga kolegji i Apelit më 15 janar 2026, mbrojtësi i të akuzuarit kishte deklaruar se klienti i tij, ka deklaruar pasurinë, por për shkak të COVID-it e ka deklaruar me vonesë, andaj kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë të refuzohet ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjetjet e Apelit

Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është shqyrtuar sipas detyrës zyrtare për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe ka gjetur se nuk është i përfshirë në këto shkelje apo shkelje të tjera të cilat detyrimisht do të kishin kushtëzuar anulimin e vendimit të ankimuar.

Kurse, sa i përket pretendimeve për vërtetimi të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli ka gjetur se pretendime të tilla nuk qëndrojnë pasi që në esencë provat e administruara nuk vërtetojnë elementet e veprës penale për të cilën i akuzuari është ngarkuar.

Apeli thekson se Lokaj asnjëherë nuk e ka mohuar mosdeklarimin e pasurisë, mirëpo ai gjithnjë ka treguar se shkak ishte gjendja e jashtëzakonshme e pandemisë COVID-9 dhe faktit se nuk i është kujtuar të bëjë këtë deklarim.

Andaj, gjykata e shkallës së dytë përmes vendimit të 11 shkurtit 2026 ka gjetur se në asnjë moment nuk është vërtetuar se i akuzuari dashjen e ka pasur për mosdeklarim të pasurisë.

Prandaj, duke pasur parasysh rrethanat dhe arsyet e rastit, Gjykata e Apelit konstaton se pretendimet ankimore janë të pabazuara dhe nuk është provuar se i akuzuari ta ketë lëshuar afatin e deklarimit të pasurisë për 20 ditë me vonesë, me dashje.

Për këto arsye, Apeli vendosi të vërtetojë vendimin e Themelores.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 7 shkurt 2023, kishte ngritur aktakuzë kundër Mal Lokajt, duke e akuzuar për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Lokaj në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5, par.1.1 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë, ku ka qenë i detyruar të deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Tutje, sipas të njëjtës aktakuzë, në rastin konkret i njëjti nuk e ka deklaruar pasurinë në afatin ligjor deri më 31 mars 2021, për vitin paraprak nga 1 janar deri më 31 dhjetor 2020, dhe nuk ka dhënë arsye pse nuk e ka deklaruar pasurinë, të cilën gjë e bëri më 20 prill 2021, pra e ka deklaruar me vonesë edhe pse ka qenë i obliguar ta deklarojë në afatin e paraparë.

Me këtë, Lokaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi