**Gjykata e Apelit konfirmon pezullimin e zgjedhjes së gjyqtares Franciska Zhitija-Ymeri në Këshillin Gjyqësor të Kosovës**

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte miratuar masën e sigurisë për pezullimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK). Ky vendim i KGjK-së certifikonte gjyqtaren Franciska Zhitija-Ymeri, nga Gjykata Supreme, si anëtare të këtij institucioni gjyqësor.

Vendimi i Apelit është marrë nga kolegji i gjyqtarëve, i kryesuar nga gjyqtari Hajriz Hoti, me anëtarët Ramiz Kuqi dhe Arsim Hamzaj, siç raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar pjesërisht kërkesën për masë sigurie të paraqitur nga gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj. Përmes kësaj mase, u pezullua zbatimi i vendimit të KGjK-së të datës 29 janar 2026, i cili certifikonte rezultatin zgjedhor për anëtarët e Këshillit nga Gjykata Supreme, specifikisht për kandidaten Franciska Zhitija-Ymeri.

**Arsyetimi i Gjykatës së Apelit**

Ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore kishin paraqitur avokati Besnik Berisha, mbrojtës i paditëses Mejreme Memaj, si dhe i padituri, Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Po ashtu, ankesë paraqiti edhe pala me interes juridik, Franciska Zhitija-Ymeri.

Kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë ka dhënë një vlerësim dhe qëndrim të ligjshëm e të drejtë. Sipas Apelit, pretendimet e palëve që kanë paraqitur ankesë, përfshirë edhe Zhitija-Ymerin, janë të pabaza.

Apeli arsyeton se pezullimi i ekzekutimit të vendimit të KGjK-së, me të cilin Zhitija-Ymeri ishte certifikuar si anëtare në vend të Memaj, është i domosdoshëm për të shmangur dëmin ndaj Memajt dhe se caktimi i masës nuk cenon interesin publik.

Pa paragjykuar meritat e çështjes kryesore, Apeli thekson se vendimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KGjK-së, përkatësisht caktimi i masës së sigurisë, është i bazuar. Sipas vendimit të Apelit, KGjK-ja dhe Franciska Zhitija-Ymeri nuk dëmtohen, por përkundrazi, evitohen pasojat që mund të shkaktoheshin në rast se padia e Memajt do të aprovohej.

Më tej, Apeli vlerëson se vendimi i shkallës së parë nuk ka të meta, është i kuptueshëm dhe pa kundërthënie. Gjykata e Apelit ka udhëzuar Gjykatën Themelore t’i japë përparësi shqyrtimit të padisë, për një vendim meritor, bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative.

**Historia e çështjes dhe pretendimet e Mejreme Memaj**

Gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë gjyqësore. Ajo kishte paraqitur edhe kërkesë për masë sigurie – pezullimin e zbatimit të vendimit të datës 29 janar 2026.

Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGjK-ja kishte konstatuar se anëtarët e rinj të Këshillit nga radhët e Gjykatës Supreme janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri. Këta dy ishin zgjedhur në raundin e dytë. Paditësja Memaj kërkon që të certifikohet rezultati i raundit të parë, duke pretenduar se ajo dhe Thaqi duhet të shpallen anëtarë, pasi kishin marrë shumicën e nevojshme të votave në atë raund.

Sipas padisë së gjyqtares Memaj, e përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, më 26 dhjetor 2025, Këshilli Gjyqësor shpalli konkursin për dy pozita anëtarësh nga Gjykata Supreme, ku Memaj aplikoi pasi plotësonte kriteret.

Më 23 janar 2026 u zhvillua procesi zgjedhor, ku nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, të pranishëm ishin 34. Pas numërimit, Memaj kishte marrë 17 vota, po aq sa Rrustem Thaqi, kurse Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitija-Ymeri nga 16 vota secili.

Në padi theksohet se në raundin e parë të votimit, Memaj kishte fituar 51.52% të votave, duke siguruar kështu shumicën e nevojshme dhe kuorumin e mjaftueshëm, dhe se ajo duhej të shpallej anëtare e KGjK-së. Megjithatë, Komisioni Zgjedhor kishte vendosur të kalonte në raundin e dytë, në të cilin Thaqi dhe Zhitija-Ymeri morën nga 19 vota, ndërsa Hyseni dhe Memaj nga 15.

Padia argumenton se një veprim i tillë, i legjitimuar edhe nga KGjK-ja, është në kundërshtim me Rregulloren për procedurën dhe kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së, duke cenuar të drejtat kushtetuese të Memajt, pasi ajo kishte marrë votat e nevojshme në raundin e parë.

Megjithatë, rezultati i raundit të dytë u certifikua me vendimin e Këshillit më 29 janar 2026. Sipas padisë, KGjK-ja i ka mohuar Memajt një të drejtë thelbësore të fituar në raundin e parë, pasi shumica llogaritet mbi votat e vlefshme, siç mbështetet nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Konstatimi i Komisionit Zgjedhor se asnjë kandidat nuk kishte marrë shumicën e votave në raundin e parë dhe nevoja për raund të dytë konsiderohet arbitrar dhe në kundërshtim me rregullat e vetë KGjK-së.

Memaj pretendon gjithashtu se vendimmarrja e KGjK-së, e cila refuzoi kundërshtimin e saj si të palejueshëm, është në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës, që siguron mjetin juridik. Kalimi në raund të dytë, sipas saj, është arbitrar dhe ka pasoja kushtetuese duke cenuar barazinë para ligjit.

Prandaj, në padi është kërkuar anulimi i vendimit të KGjK-së, me të cilin Thaqi dhe Zhitija-Ymeri u zgjodhën anëtarë nga Gjykata Supreme. Ajo kërkon të vërtetohet se ajo vetë ishte fituese në raundin e parë me shumicë votash, të vërtetohet se raundi i dytë u zhvillua në kundërshtim me Rregulloren dhe nuk prodhon pasoja juridike, si dhe të zgjidhen anëtarë Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi.

**Arsyetimi për masën e sigurisë**

Përmes kërkesës për sigurimin e kërkesëpadisë, ishte kërkuar pezullimi i ekzekutimit të vendimit të KGjK-së, me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor me fitues Rrustem Thaqin dhe Franciska Zhitija-Ymerin.

Në kërkesë thuhet se ekzekutimi i vendimit do të shkaktonte dëm të rëndë dhe të pakthyeshëm për paditësen. Memaj, me një përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, përfshirë funksionin e gjyqtares në Supreme dhe aktualisht zëvendëskryetare e saj, argumenton se mosnjohja e rezultatit të votimit, megjithëse shumica e votave të vlefshme u konstatua nga KGjK-ja, sjell pasoja të drejtpërdrejta në integritetin profesional, reputacionin institucional dhe ushtrimin efektiv të të drejtave kushtetuese.

Dëmi, sipas kërkesës, prek jo vetëm sferën personale, por edhe vetë funksionimin e rregullt të rendit institucional, duke cenuar barazinë e gjyqtares Memaj në qasjen ndaj funksioneve publike. Pa pezullim, dëmi do të ishte i pakthyeshëm, pasi padia mund të gjykohet në themel në mes të mandatit të anëtarit të zgjedhur sipas vendimit të KGjK-së.

Në kërkesë theksohet se pezullimi i vendimit nuk prek interesin publik, pasi pikërisht zbatimi i vendimit të KGjK-së do të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta në rendin kushtetues. Përbërja e KGjK-së, sipas kërkesës, duhet të jetë në harmoni me një proces të rregullt dhe meritokratik, prandaj është e domosdoshme ruajtja e gjendjes ekzistuese deri në një vendim përfundimtar, duke ruajtur integritetin dhe besueshmërinë në vendimmarrje. Caktimi i masës nuk pengon rrjedhën e punës institucionale të KGjK-së, pasi kuorumi formohet me nëntë anëtarë nga 12 të tjerë të zgjedhur.

Kërkesa për masën e sigurisë gjen mbështetje në Ligjin për Konfliktet Administrative, që autorizon gjykatën të bëjë pezullim të vendimit kur ekziston rreziku i dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm. Qëllimi i kërkesës është legjitim dhe synon ruajtjen e ligjshmërisë së përbërjes së Këshillit, duke u bazuar edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese për parandalimin e pasojave faktike.

Në fund, kërkesa përfundon se janë plotësuar dy kushtet për caktimin e masës – rreziku real i një dëmi të rëndë dhe se me pezullim nuk cenohet interesi publik, përkundrazi garantohet ligjshmëria.

Mbledhja e KGjK-së e datës 29 janar 2026 kishte refuzuar si të palejueshëm kundërshtimin e paraqitur nga Mejreme Memaj, duke certifikuar rezultatin zgjedhor për anëtarët nga Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit. Kryesuesi Albert Zogaj kishte deklaruar se gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGjK-së më 9 mars 2026 nga Gjykata Supreme, ndërsa gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, si anëtare nga Gjykata e Apelit.
Procesi i votimit ishte mbajtur më 23 janar 2026, ku pas raundit të dytë të votimit, Thaqi dhe Zhitija-Ymeri u zgjodhën anëtarë të rinj, duke filluar një mandat 5-vjeçar.