Selin Bollati, fituesja e “Big Brother VIP 5”, flet për herë të parë pas triumfit

Selin Bollati, fituesja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP”, ka ndarë emocionet e saj të para pas triumfit. Në një intervistë pas daljes nga shtëpia, ajo reflektoi mbi rrugëtimin e gjatë 120-ditor, i cili ishte i mbushur me surpriza, sfida dhe momente të forta emocionale.

“Faleminderit shumë për këtë intervistë,” nisi Selin, “nuk di çfarë të them, jam në një përzierje emocionesh. Shih familjarët e mi dhe përpiqem të dalloj çdo fytyrë të njohur që ka ardhur sot për mua. Jam në një tronditje emocionale, por njëkohësisht shumë e lumtur që rrugëtimi im po kurorëzohet me fitore.”

Ajo theksoi ironinë e pritshmërive fillestare kundrejt realitetit: “Është ironike që mendoja të qëndroja në izolim vetëm 20 ditë, por u bënë 120. Tani kam frikë të dal jashtë, pasi u mësova me ato kushte.”

Duke folur për mbështetjen e publikut, Selin u shpreh: “Kam fituar zemrat e publikut, dhe kjo është forca kryesore që na ka afruar me shumë njerëz, të cilët e gjejnë veten te ne, na mbështesin dhe na duan. Kjo është padyshim fitorja më e madhe, edhe nëse nuk do të ishte çmimi prej 100 mijë eurosh. Big Brother, në mënyra të ndryshme, të jep shumë; unë kam fituar veten dhe dashurinë.”

Për marrëdhënien e saj me Gimbion, fituesja zbuloi: “Me Gimbion na pret një e ardhme shumë e mirë; do të kemi mundësinë të zhvillojmë marrëdhënien tonë jashtë kamerave.” Ajo nuk ngurroi të ndante edhe emocionet nga surprizat gjatë finales: “Surpriza ishte emocionuese, sepse koreografia ishte konceptuar që unë të isha vetëm. Por kur pashë vajzën e vogël, dhe më pas mesazhi i babait tim ishte ai që më preku më thellë në zemër, do të mbetet surpriza më e bukur e këtij Big Brother,” përfundoi Selin.