**Apeli refuzon kërkesën e Isufajt për pezullimin e konkursit të Kryeprokurorit të Shtetit**
Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Blerim Isufajt, Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, duke konfirmuar vendimin e Gjykatës Administrative për mospranimin e masës së sigurisë. Kjo masë synonte pezullimin e ekzekutimit të vendimit për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në vendimin e Apelit, të përpiluar më 18 qershor 2026, thuhet: “Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit Blerim Isufaj nga Prishtina, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Administrative të Kosovës, i datës 5 qershor 2026, vërtetohet”.
Më herët, më 5 qershor 2026, Gjykata Administrative kishte refuzuar kërkesën e Isufajt për masën e sigurisë, duke theksuar se plotësimi i kësaj pozite nuk paraqet vetëm çështje interesi individual, por një nevojë institucionale për funksionalitetin e sistemit prokurorial.
**Çfarë thuhej në padinë e Isufajt?**
Blerim Isufaj kishte ngritur padi kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së të 18 majit 2026 për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, me arsyetimin se ishte i kundërligjshëm. Në padi, kërkohej edhe pezullimi i ekzekutimit të këtij vendimi deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.
Sipas padisë, Isufaj kundërshtonte vendimin e Këshillit për hapjen e konkursit të ri, pa u shfuqizuar paraprakisht propozimi i mëparshëm i vetë KPK-së, me të cilin pikërisht Isufaj ishte propozuar për dekretim te Presidentja. Kjo gjë, sipas paditësit, kishte krijuar pritshmëri legjitime.
Në padi theksohej se vendimi i kontestuar i KPK-së nuk përmbante këshillë juridike dhe se ishte nxjerrë paralelisht me ekzistencën juridike të propozimit paraprak, duke krijuar dy procedura paralele për të njëjtën pozitë. Paditësi argumentonte se një akt administrativ mund të anulohet ose zëvendësohet vetëm me një akt tjetër administrativ të rangut dhe formës së njëjtë, me arsyetim të shprehur qartë – gjë që mungonte në rastin konkret.
**Kronologjia e procesit**
Padia detajonte se pas mbylljes së procedurës së konkurrimit në vitin 2022, KPK-ja kishte propozuar Isufajn për dekretim te Presidentja. Ky propozim u kundërshtua nga kandidatët e tjerë, por Gjykata Kushtetuese nuk kishte konstatuar shkelje në procesin e konkurrimit, vlerësimit apo propozimit të Isufajt. Pavarësisht kësaj, Presidentja Vjosa Osmani nuk kishte nxjerrë asnjë akt formal lidhur me propozimin, duke komunikuar refuzimin publikisht, por pa një dekret të mirëfilltë me efekte juridike.
Si pasojë e këtij bllokimi institucional, KPK-ja caktoi ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit. Më 1 nëntor 2023, KPK-ja ridërgoi të njëjtin emër për dekretim, por sërish nuk pati asnjë akt formal nga Presidenca. Në maj të vitit 2026, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një konference për media, deklaroi se procesin e konsideronte të mbyllur, por pa nxjerrë asnjë dekret apo vendim formal.
Paditësi theksonte se pa nxjerrë asnjë vendim formal me të cilin do të shfuqizonte ose tërhiqte propozimet e mëparshme, KPK-ja nxori vendimin për shpalljen e konkursit të ri, duke e bërë aktin e kontestuar të kundërligjshëm nga aspekti material dhe procedural.
Isufaj argumentonte se neni 109 (7) i Kushtetutës përcakton se Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti në bazë të propozimit të KPK-së, dhe kjo procedurë nuk ishte përmbyllur, pasi nuk ishte nxjerrë asnjë dekret, as pohues e as refuzues. Kjo qasje, sipas paditësit, cenon kompetencën dhe pavarësinë kushtetuese të KPK-së, si dhe të drejtat e kandidatit të propozuar.
Në padi, gjithashtu, theksohej se mungesa e parashikimit të “dekretimit në heshtje” për pozitën e Kryeprokurorit, në kontrast me prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë, shkaktonte një trajtim të pabarabartë dhe diskriminim faktik në qasjen në funksion publik, në kundërshtim me Kushtetutën.
