**Integrimi në BE, fokusi i takimit Konjufca-Terras: Kërkohet avancimi i statusit kandidat**
Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.
Temë qendrore e bisedimeve ishte rëndësia e avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian drejt statusit të vendit kandidat.
Në fokus të takimit ishin edhe zhvillimet aktuale politike në vend, formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe procesi i integrimit evropian dhe euroatlantik i Republikës së Kosovës.
Konjufca vlerësoi lart rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave evropiane të Kosovës dhe falënderoi z. Terras për angazhimin e tij në ndjekjen e zhvillimeve në vend. Ai theksoi rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të marrë vëmendjen e duhur, duke synuar avancimin drejt statusit të vendit kandidat dhe fillimin e negociatave për anëtarësim.
Republika e Kosovës mbetet maksimalisht e angazhuar për avancimin e rrugëtimit evropian, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e të gjithë hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE.
