Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se do të shqyrtojë kërkesën e familjeve të viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit për publikimin e dokumenteve të klasifikuara. Këto dokumente, sipas familjeve, mund të zbardhin më tej rolin e dyshuar të Arabisë Saudite në sulmet terroriste të dy dekadave më parë.

Prej vitesh, disa prej familjeve të viktimave kanë pretenduar se një grup klerikësh ekstremistë në Arabinë Saudite kishte fituar ndikim brenda qeverisë saudite dhe kishte ndihmuar rrëmbyesit e avionëve. Duhet theksuar se nga 19 autorët e sulmeve të 11 Shtatorit, 15 ishin shtetas sauditë, megjithëse qeveria e Arabisë Saudite ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje.

Familjet i kanë kërkuar Trumpit të deklasifikojë dhe të bëjë publike dokumentet përkatëse, duke besuar se ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e lidhjeve dhe përgjegjësive të mundshme.

I pyetur për këtë çështje të dielën, gjatë vizitës së tij në Irlandë, Presidenti Trump u shpreh se do ta shqyrtonte kërkesën sapo të kthehej në Uashington. “Do ta shikoj kur të kthehem. E di që ma kërkuan të premten,” deklaroi Trump pak para se të nisej drejt Shteteve të Bashkuara.

Për vite me radhë, familjarët e viktimave të 11 Shtatorit kanë zhvilluar një betejë ligjore kundër Arabisë Saudite.

Terry Strada, e cila humbi bashkëshortin e saj, Tom, në sulmet e 11 Shtatorit, i bëri thirrje Trumpit gjatë një ceremonie përkujtimore në Nju Jork të premten që “t’u thoshte sauditëve të ndalonin së gënjyeri”. Strada, një prej familjarëve që lexoi emrat e viktimave gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të sulmeve, kritikoi ashpër presidentët amerikanë të mëparshëm për atë që ajo e cilësoi si mbrojtje të Arabisë Saudite në vend të mbështetjes ndaj familjeve të viktimave.

“Presidentët amerikanë kanë zgjedhur të mbrojnë sauditët në vend që të qëndrojnë përkrah familjeve të 11 Shtatorit,” tha ajo. Strada shtoi se administrata aktuale duhet “të qëndrojë me familjet, të qëndrojë me të mbijetuarit.”