**KQZ: Miratohen 72,746 pako votimi me postë nga diaspora, numërimi vazhdon**
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë të dielën në mëngjes një përditësim mbi ecurinë e procesit të numërimit, gjashtë ditë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Pasi ka përmbyllur numërimin e votave për kandidatët për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit dhe të atyre nga përfaqësitë diplomatike, KQZ ndodhet në fazën përfundimtare të numërimit të fletëvotimeve.
Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) po numërohen fletëvotimet e ardhura nga diaspora përmes postës. Më pas, do të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqaroi me shkrim se deri në fund të së shtunës ishin numëruar 36 kuti votimi. Këto kuti përmbajnë zarfe me fletëvotime, të cilat janë vendosur aty pasi janë miratuar nga stafi votues i KQZ-së.
Elezi shpjegoi se, sipas procedurave, pas procesit të vlerësimit, zarfet me fletëvotime sistemohen në kuti votimi sipas komunave nga vijnë votuesit e regjistruar. Deri më tani, 156 kuti votimi janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve. Numri i kutive do të shtohet derisa të përfundojë vlerësimi i të gjitha pakove të tërhequra nga kutitë postare të KQZ-së.
Lidhur me procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura me postë, të tërhequra nga KQZ-ja prej 23 kutive postare në vende të ndryshme, Elezi theksoi se ky proces është drejt përfundimit. Nga këto kuti postare, KQZ-ja ka tërhequr mbi 85,700 pako të dyshuara si fletëvotime, shumica e të cilave janë vlerësuar tashmë nga stafi votues i KQZ-së, ndërsa numërimi i një pjese prej tyre është në vazhdim.
“Deri në fund të së shtunës, më 13 qershor, janë vlerësuar 75,590 pako. Nga këto, 72,746 janë miratuar dhe 2,844 janë refuzuar,” bëri të ditur Elezi.
Shkaku kryesor i refuzimit, sipas KQZ-së, ishte mungesa e dëftesës së regjistrimit në 2,571 raste. Kjo dëftesë është një dokument me të dhëna unike që votuesi i regjistruar e merr nga KQZ-ja. Arsyet e tjera, në një numër më të vogël, përfshijnë:
* përfshirjen e më shumë se një fletëvotimi ose personi në një pako (177 raste);
* dërgimin e pakos nga një shtet tjetër nga ai ku votuesi ishte regjistruar (21 raste);
* praninë vetëm të dëftesës së regjistrimit pa fletëvotim (27 raste);
* mungesën e pullës apo vulës postare (5 raste);
* si dhe një rast kur fletëvotimi ishte shtypur.
Gjithashtu, janë evidentuar 42 zarfe të dërguara gabimisht.
Procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës, ka përfunduar të hënën, më 8 qershor. KQZ-ja ka tërhequr mbi 85,700 pako me fletëvotime nga 23 kutitë postare të saj, të shpërndara në 22 shtete dhe një në Kosovë. Shumica e këtyre pakove janë tashmë të vlerësuara nga stafi votues i KQZ-së.
