Ardian Gjini i Aleancës: Faturat e larta të energjisë, taksë e fshehur; prezanton planin për pavarësi energjetike
Ardian Gjini, kandidat i Aleancës për kryeministër, prezantoi zotimet e tij në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës, duke theksuar se kostot e larta të energjisë dhe projektet infrastrukturore të papërfunduara janë një barrë e drejtpërdrejtë për qytetarët.
Sipas Gjinit, “çdo faturë e lartë e energjisë elektrike dhe çdo projekt rrugor i mbetur në gjysmë përbëjnë një taksë të fshehur, që rëndon mbi familjet tona”.
Ai njoftoi se Aleanca synon të garantojë pavarësinë energjetike të Kosovës përmes një plani konkret, i cili përfshin investime në modernizimin e KEK-ut, uljen e TVSH-së për energjinë elektrike, si dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike rrugore dhe hekurudhore.
Gjini theksoi se këto masa do të forcojnë lidhjet e Kosovës me tregjet rajonale dhe do të krijojnë një bazë më solide për zhvillim ekonomik dhe siguri energjetike.
“Aleanca vjen me një plan të qartë pune për të garantuar pavarësinë tonë energjetike”, deklaroi ai.
