Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Mitrovicë ka vlerësuar rolin dhe kontributin e këtij qyteti në historinë, ekonominë dhe kulturën e Kosovës, duke theksuar se Mitrovica meriton vëmendje të veçantë dhe projekte zhvillimore për të ardhmen, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se është kënaqësi e veçantë të qëndrojë në një qytet që, sipas tij, ka bartur shumë histori, sfida dhe krenari për Republikën e Kosovës.
“Është kënaqësi e madhe e jona të jemi në Mitrovicë — në një qytet me peshë të jashtëzakonshme për Republikën tonë, në një qytet që ka bartur shumë histori, shumë sfida, dhe mbi të gjitha shumë krenari”, u shpreh ai.
Duke folur për identitetin e qytetit, kandidati i LDK-së e cilësoi Mitrovicën si qytetin e Trepçës, të punës dhe industrisë, duke nënvizuar kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës.
“Jemi veçanërisht të lumtur që jemi sot në qytetin e Trepçës, qytetin e punës, industrisë, djersës, qëndresës, kulturës, muzikës, e besa edhe të rock-ut. Një qytet që për dekada ka qenë zemra kulturore dhe ekonomike e Republikës së Kosovës; një qytet që Kosovës i ka dhënë zhvillim, energji, dije dhe njerëz të jashtëzakonshëm”, tha Abdixhiku.
Ai e përshkroi Mitrovicën si një qytet me karakter dhe me njerëz punëtorë e krenarë.
“Mitrovica është qytet i karakterit, qytet i njerëzve të fortë, qytet i njerëzve punëtorë dhe njerëzve krenarë. Një qytet që ka ditur gjithmonë të qëndrojë në këmbë, edhe kur ka pasur shumë sfida”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, si simbol i qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës, Mitrovica meriton një të ardhme më të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Si simbol i qëndrueshmërisë së Republikës sonë, Mitrovica meriton vëmendjen më të madhe tonën. Meriton një të ardhme — një të ardhme të rrugëtuar përpara, që e vendos këtë qytet aty ku i takon”, tha ai.
Kreu i LDK-së theksoi se zhvillimi nuk mund të arrihet me pritje apo propagandë, por përmes projekteve konkrete dhe vizionit afatgjatë.
“Kjo e ardhme nuk bëhet duke pritur. Nuk bëhet as me fjalë të thata e as me propagandë. Ajo bëhet drejt, me projekte madhore dhe me ambicie të jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës, për këtë qytet që me të drejtë mund të themi se është krenaria e të gjithë Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.
Ai tha se këto synime janë pjesë e prioriteteve të LDK-së dhe ekipit të saj.
“Ky është prioriteti që Lidhja Demokratike e Kosovës, me ekspertët më të mirë që ka vendi, ka ndërtuar”, përfundoi Abdixhiku.


