**Arrestime të Kosovarëve në Serbi: Apel për të shmangur territorin serb**

Autoritetet serbe po vazhdojnë të ndalojnë qytetarë kosovarë në pikat kufitare dhe brenda territorit të Serbisë, pavarësisht destinacioneve të tyre të udhëtimit. Kjo praktikë ka ngritur shqetësime të thella dhe pikëpyetje mbi motivet dhe mënyrën e veprimit të institucioneve serbe.

Arsyet e ndalimeve, sipas rasteve të raportuara, janë të paqarta dhe të ndryshme, duke vënë në dyshim bazat ligjore të tyre dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, deklaron se këto veprime lidhen me databaza të krijuara ndër vite nga institucionet e sigurisë dhe inteligjencës serbe. “Kjo databazë shënjestron ata që kanë lidhje me UÇK-në dhe jo vetëm. Prandaj, kosovarët duhet ta shmangin këtë territor, pasi këto veprime mund të vazhdojnë,” ka theksuar Shala.

Nga ana tjetër, juristët vlerësojnë se trajtimi i qytetarëve të ndaluar nuk përputhet me praktikat ndërkombëtare dhe standardet e të drejtave të njeriut. Avokati Ardian Bajraktari thekson se autoritetet serbe kanë detyrim ligjor të njoftojnë familjarët dhe të sigurojnë mbrojtje ligjore për personat e ndaluar.

“Rregullat dhe ligjet në Serbi parashohin obligimin për të kontaktuar familjarët e personit të arrestuar dhe për t’i mundësuar avokat. Por në praktikë, kjo shpesh lë për të dëshiruar,” ka thënë Bajraktari. Sipas tij, në rastet kur konstatohet se arrestimi ka qenë i pabazuar, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim për kohën e kaluar në paraburgim.