Policia ka arrestuar mbrëmjen e sotme në qendër të Rozahes, Malin e Zi, Vehid Muriqin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e trefishtë që tronditi Podgoricën.

Muriqi akuzohet se më herët, në lagjen “Stari Aerodrom” të Podgoricës, i mori jetën tre personave: D.H. (27 vjeç) dhe N.H. (34 vjeç), të dy vëllezër nga Rozaheja, si dhe K.M. (55 vjeç), një shtetas serb nga Novi Pazari. Vrasja e trefishtë ndodhi në rrugën Kozaračka.

Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë u njoftua menjëherë për arrestimin, ndërsa media malazeze RTCG ka raportuar lajmin.

Hetimi në vendngjarje ka përfunduar, por motivi i vrasjes mbetet ende i panjohur. Prokurorja Danka Đerić deklaroi më herët se të gjitha provat ishin sekuestruar dhe se dyshohej se krimi ishte kryer me “armë të ftohtë”. Gjatë hetimit janë kryer edhe veprime mjekoligjore në prani të ekspertëve.

Muriqi pritet të dërgohet në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, ku do t’i paraqitet kallëzimi penal. Prokuroria ka theksuar se gjatë hetimit janë mbledhur prova dhe fakte të mjaftueshme, të cilat tregojnë “pa mëdyshje se i dyshuari V.M. është autori i drejtpërdrejtë i këtij akti kriminal”. Publiku do të informohet në mënyrë transparente për të gjitha zhvillimet e mëtejshme të procedurës.