Avokati Arsim Vranovci, president i Shoqatës së Miqësisë Kosovë–Austri, i cili jeton dhe punon në Kosovë e Shqipëri dhe zhvillon veprimtari edhe në Austri, u takua me Andreas Minnich, deputet i Këshillit Kombëtar të Austrisë dhe nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.
Në qendër të takimit ishte mbështetja e Austrisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe angazhimi parlamentar për avancimin e këtij procesi.
Vranovci kërkoi nga Minnich që, përmes rolit të tij në Parlamentin austriak dhe në Komisionin për Politikë të Jashtme, të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, me synimin që vendi të jetë pjesë e BE-së deri në vitin 2030. Ai theksoi nevojën që ky objektiv të mbetet në agjendën e bashkëpunimit dhe të mbështetjes politike nga partnerët evropianë.
Njëkohësisht, Vranovci kërkoi mbështetje për Kosovën, në mënyrë që edhe asaj t’i hapet një perspektivë e qartë dhe konkrete për avancimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Minnich shprehu gatishmërinë që, në kuadër të përgjegjësive të tij parlamentare dhe si mik i shqiptarëve, të angazhohet në mbështetje të këtij drejtimi. Bashkëbiseduesit u pajtuan të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin për të mbështetur rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të forcuar lidhjet e tyre me Austrinë.
