Regjistrimet audio zbulojnë se Presidenti Biden kishte probleme me kujtesën

Regjistrimet audio të publikuara të hënën nga “Oversight Project”, një organizatë e krahut të djathtë, të bisedave të Presidentit Joe Biden me biografin e tij, Mark Lewis Zwonitzer, duket se mbështesin konstatimet e ish-këshilltarit special Robert Hur në raportin e tij të vitit 2024. Ky raport theksonte se Biden kishte mbajtur materiale të klasifikuara, kishte probleme me kujtesën dhe vazhdonte t’i mbante këto materiale edhe pasi u largua nga posti i zëvendëspresidentit, sipas raportimeve të CNN-it.

Në regjistrimet audio, Biden dëgjohet duke folur në mënyrë të pakujdesshme për shënimet që kishte ruajtur nga koha kur ishte zëvendëspresident, tek ia tregonte ato Zwonitzerit.

“Ata as që e dinin se e kisha këtë”, citohet Biden të ketë thënë, ndërsa me sa duket po i tregonte biografit (shkruesit fantazmë) shënimet e tij të vjetra si referencë gjatë diskutimit për çështje të supozuara të klasifikuara të politikës së jashtme nga periudha kur ishte zëvendëspresident. Informacioni në regjistrimet audio mbetet i redaktuar.

Regjistrimet u publikuan nga “Oversight Project”, një degë e fondacionit konservator “Heritage Foundation”, e cila fitoi një padi kundër Departamentit të Drejtësisë për t’i bërë ato publike. Biden ka luftuar kundër publikimit, por pa sukses, duke vendosur të tërhiqej nga sfida ligjore të hënën.

Një përfaqësues i Bidenit refuzoi të komentojë specifikisht për publikimin e regjistrimeve audio të hënën. Megjithatë, zëdhënësi i tij, TJ Ducklo, deklaroi javën e kaluar: “Bisedat e Presidentit Biden për një libër një dekadë më parë, në të cilat diskutohej për djalin e tij të ndjerë, janë private dhe iu dorëzuan Departamentit të Drejtësisë me kushtin e shprehur që të mbeteshin të tilla. Ndryshimi i qëndrimit dhe bërja e tyre publike është vetëm shembulli më i fundit i përdorimit të Departamentit të Drejtësisë nga kjo administratë për qëllime hakmarrjeje politike.”

Në disa raste në regjistrimet audio, Biden ka probleme të kujtojë data dhe informacione gjatë intervistave me shkruesin fantazmë. Në raportin e Hur, Biden përshkruhet si një burrë i moshuar “me kujtesë të dobët”.

Hur vendosi përfundimisht të mos ngrinte akuza penale ndaj Bidenit, pjesërisht për shkak të bashkëpunimit të tij, që mbështeste idenë se ai nuk e kishte shkelur ligjin qëllimisht, por gabimisht. Megjithatë, kujtesa e dobët dhe mosha e shtyrë e Bidenit ndikuan gjithashtu në vendim dhe në mënyrën se si një juri mund t’i përgjigjej një ndjekjeje të tillë penale.

“Që nga marsi i vitit 2024, ‘Oversight Project’ dhe ‘Heritage Foundation’ luftuan pa u ndalur për t’i nxjerrë në dritë këto regjistrime”, tha grupi në një deklaratë të hënën. “Së bashku, ne mposhtëm si Departamentin e Drejtësisë, të drejtuar nga administrata e Bidenit, ashtu edhe avokatët e tij privatë me pagesa të larta. Këto regjistrime që po publikojmë sot duhej të ishin bërë publike shumë kohë më parë.”

Biden diskutoi gjithashtu me ndihmësit e tij për disa nga sfidat që do të kishte si kandidat për president dhe njëri prej tyre ia përmendi gafat si një nga pengesat që do të duhej t’i kapërcente.

“Çështja e gafave është si virus. Është në gjendje të fjetur; nëse bën sërish një gabim, ata do ta rikthejnë në vëmendje”, tha Biden, duke lënë përshtypjen se po lexonte nga shënimet e tij.

“Nuk mund ta lexoj shkrimin tim të dorës”, tha Presidenti në një moment.