Avokati Gent Gjini ka ngritur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, saktësisht në departamentin civil, ndaj Dritan Goxhajt, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Padia synon verifikimin e rolit të tij gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.
Vendimi për padinë vjen pasi ditë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama publikoi një dokument që, sipas tij, vinte në pikëpyetje përfshirjen e Goxhajt në luftën e Kosovës.
Avokati Gjini theksoi se deri më tani askush nuk i ka verifikuar zyrtarisht pretendimet e Ramës, pavarësisht peshës publike të fjalës së një kryeministri. Për këtë arsye, ai e ka konsideruar të domosdoshme adresimin e këtyre dilemave në gjykatë.
“Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një shënim zyrtar në Facebook dhe ka shpalosur një dokument ku vihet në pikëpyetje nëse Dritan Goxhaj është vërtet veteran që i ka shërbyer UÇK-së,” deklaroi Gjini. “Kjo ka ngritur dyshime nëse Goxhaj është veteran i rremë apo i vërtetë. Këto dilema do të zgjidhen në gjykatë, pasi përmes ekspertizave përkatëse, kjo padi do të qartësojë shërbimin dhe kontributin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.”
Avokati përmendi edhe reagimin e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së (OVUÇK), e cila ka deklaruar se Goxhaj nuk ka aplikuar për status veterani, nuk posedon kartelë dhe se vendi apo fronti ku ai pretendon të ketë luftuar nuk është i njohur.
“Këto dyshime dhe dilema kërkojnë verifikim përmes kanaleve ligjore të gjykatës, për të vërtetuar nëse Dritan Goxhaj ka shërbyer vërtet në luftën çlirimtare të Kosovës dhe nëse ka qenë anëtar i UÇK-së,” shpjegoi Gjini. Ai shtoi se do të verifikohen edhe dokumentet, përfshirë autenticitetin e atij të publikuar nga kryeministri Rama, pasi kjo çështje ka shkaktuar polemika në shoqëri.
Nëse gjykata konstaton se pretendimet janë të rreme, Gjini paralajmëroi se Dritan Goxhaj do të përballet me pasoja penale. “Përmes mekanizmave ligjorë, Dritan Goxhaj do të merret në pyetje, do të shqyrtohen arkivat dhe historia e tij para luftës – kush i ka qenë komandant, në cilën zonë ka vepruar, si dhe pse nuk është anëtar i OVUÇK-së dhe nuk ka kartelë veterani,” shpjegoi avokati. “Nëse verifikohen deklarata të rreme, Goxhaj duhet të ndiqet penalisht dhe t’i kërkojë falje popullit të Kosovës, nëse nuk i ka shërbyer vërtet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”
