Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim me kusht dhe ndalim të përdorimit të rrjetit social Facebook, një person i cili kishte kërcënuar gazetarin e “Koha”-s, Ardit Kika. Lajmin e ka bërë të ditur juristja e medias, Flutura Kusari, duke theksuar rëndësinë e këtij vendimi për mbrojtjen e gazetarëve.
Rasti, sipas Kusarit, lidhet me një koment kërcënues të publikuar më 22 janar 2026 në Facebook, ku ndaj gazetarit ishte shkruar: “këta i ndalë likuidimi në emër të popullit, boll i duruam mo, hala t’u i pas varret e freskëta nga lufta, merre me mend këta punojnë për shka e Rusi, Amerika po na armatos dhe mundohet që sa më shpejtë me na anëtarësi në NATO – e mediat tona merre me mend çfarë dezinformata shpifin, klm”.
Juristja Kusari theksoi shpejtësinë e reagimit të gjykatës, duke vënë në dukje se vendimi u mor vetëm gjashtë muaj pas ngjarjes. “Një vendim i shkëlqyer nga Gjykata Themelore në Prishtinë në favor të mbrojtjes së gazetarëve, i marrë në një kohë relativisht të shkurtër. Më 22 janar 2026, një person e kishte kanosur gazetarin e Kohës, Ardit Kika, përmes Facebook-ut. Sot, pas vetëm gjashtë muajsh, gjykata e ka dënuar kërcënuesin me katër muaj burgim me kusht dhe gjashtë muaj ndalim të përdorimit të Facebook-ut”, deklaroi ajo.
I dënuari e ka pranuar fajin dhe si arsyetim për veprimin e tij ka përmendur probleme familjare. Sipas Kusarit, ai ka thënë: “kur e kam bërë komentin kam pasur probleme familjare”.
Në fund, Kusari u bëri thirrje qytetarëve që të mos shënjestrojnë gazetarët, duke theksuar se kërcënimet ndaj tyre kanë pasoja ligjore serioze. “U bëj thirrje personave që mund të kenë probleme personale, që në situata të tilla të qëndrojnë larg gazetarëve dhe të gjejnë metoda të tjera për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Nuk është e arsyeshme të shfryheni ndaj gazetarëve, pasi kjo çon në përfundime ligjore dhe dënime”, shtoi Kusari.
