Venkateswari Alagendra, avokate kryesore e Jakup Krasniqit, ka reaguar pas aktgjykimit të djeshëm dënues nga Gjykata Speciale ndaj klientit të saj.

Në reagim, ajo thotë se janë “shumë të zhgënjyer” dhe shtoi se do të ju duhet kohë për ta shqyrtuar dhe analizuar me kujdes arsyetimin e plotë të gjyqtarëve.

Venkateswari Alagendra theksoi se tashmë është e qartë se “provat e rëndësishme të paraqitura gjatë gjykimit ose nuk janë shqyrtuar siç duhet, ose nuk u është dhënë pesha e duhur”.

“Në këto rrethana, është e qartë se do ta apelojmë këtë aktgjykim. Qëndrimi ynë është se i vetmi përfundim i përshtatshëm, bazuar në provat e paraqitura, ishte shpallja i pafajshëm e Jakup Krasniqit për të gjitha akuzat”, u tha në deklaratën e saj.

Avokatja tha se është gjithashtu për të ardhur keq që Jakup Krasniqi, i cili është pothuajse 76-vjeç, ka kaluar në paraburgim gati gjashtë vjet të jetës së tij.

“Gjatë kësaj kohe, ai jo vetëm që ka qenë larg familjes së tij dhe Kosovës së tij të dashur, por është dashur të jetojë me akuza që bien ndesh me punën e jetës së tij në përpjekje për të drejtat e njeriut, barazinë dhe lirinë”, potencoi ajo në deklaratë.

Sipas Venkateswari Alagendra, dëshmitarë të shumtë kanë dëshmuar se ai është një demokrat i vërtetë, një udhëheqës i moderuar dhe një person që ka qenë gjithmonë bashkëpunues në angazhimet e tij me komunitetin ndërkombëtar.

“Është e rëndësishme të rikujtohet se gjatë procesit gjyqësor, i cili zgjati më shumë se dy vjet, asnjë dëshmitar nuk dëshmoi se ishte keqtrajtuar nga Jakup Krasniqi apo se ishte keqtrajtuar në praninë e tij”.

“Përkundrazi, shumë dëshmitarë ndërkombëtarë dhe dëshmitarë të Prokurorisë nga Kosova folën me shumë vlerësim për natyrën e ekuilibruar të z. Krasniqi dhe mënyrën se si ai sillej”, tha avokatja e ish-zëdhënësit të UÇK-së.

Se Jakup Krasniqi ka humbur 16 vjet të jetës së tij në burg për, siç thotë ajo, “akuza që nuk duhej të ishin ngritur kurrë”, “është një realitet i trishtueshëm”.

“10 vjet të jetës së tij u vodhën kur u burgos padrejtësisht nga regjimi serb i Millosheviqit, si dhe gati gjashtë vjet gjatë të cilave u mbajt në paraburgim lidhur me akuzat e tanishme”.

Avokatja Venkateswari Alagendra  tha se “Z. Krasniqi është krenar që ka luftuar për Kosovën e re që lindi në vitin 1999 dhe shpreson që brezi i ri i kosovarëve të mos i marrë kurrë liritë si diçka të vetëkuptueshme”.

“Lufta është e shëmtuar dhe mizore, edhe kur është e domosdoshme. Shumë njerëz – nga të gjitha palët – vuajtën jashtëzakonisht shumë në konfliktin e shkaktuar nga sundimi i terrorit të Millosheviqit dhe mendimet e z. Krasniqi vazhdojnë të jenë me të gjithë ata që pësuan humbje”.

“Ndërsa ne, si ekip i tij ligjor, do të shqyrtojmë mundësitë për apel dhe mjetet e tjera juridike, z. Krasniqi e kupton se kjo çështje është më e madhe se ai. Historia nuk mund të rishkruhet”.

“Mbrojtësit e jetës dhe lirisë, për të cilat UÇK-ja aspironte dhe për të cilat punoi, nuk mund të paraqiten tani si keqbërësit e kësaj historie. Çdo përpjekje për ta bërë këtë duhet të dënohet”, theksoi Venkateswari Alagendra.

Në fund, ajo tha se “edhe përballë këtij aktgjykimi thellësisht zhgënjyes, z. Krasniqi më ka kërkuar t’ua përcjell mirënjohjen e tij njerëzve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe besimin që kanë pasur tek ai gjatë gjithë këtij procesi”.

Jakup Krasniqi u dënua të mërkurën me 35 vjet burgim për krime lufte./Klan Kosova