Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Kryeministri Albin Kurti po planifikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe se kjo është arsyeja pse Lëvizja Vetëvendosje (VV) po insiston për miratimin e shpejtë të ligjeve.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës po zhvillon një seancë të jashtëzakonshme me dhjetë pika në rend dite. Opozita po kundërshton votimin e këtyre projektligjeve, me arsyetimin se nuk u është dhënë kohë e mjaftueshme as për t’i shqyrtuar ato.
Në një postim të plotë në rrjetet sociale, Bajrami shkruan:
“Albin Kurti po na dërgon në zgjedhje.
Kjo është arsyeja pse dëshiron t’i kalojë ligjet me afate të përshpejtuara. Albini dëshiron t’i përfundojë punët me Kuvendin dhe më pas të qeverisë pa Kuvend dhe pa mbikëqyrje.
Që nga dhjetori i vitit 2024 nuk ka pasur Kuvend funksional. Tani dëshiron të kalojë ligje me shmangie.
Pse këto urgjenca?
Urgjencë për të hartuar ligje që nuk mund të zbatohen kurrë.”
