Bajrami kritikon Kurtin për emërimet e zëvendësministrave: LVV-ja po e gërryen shtetin

Hykmete Bajrami, ish-deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me emërimet e fundit të zëvendësministrave, në kohën kur qeveria është në dorëheqje.

Ajo theksoi përmes një postimi në rrjetet sociale se, në kushtet kur një qeveri ka dhënë dorëheqjen, ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre me kapacitet të plotë. Megjithatë, sipas saj, Kurti po vazhdon të emërojë zëvendësministra pa asnjë arsye të qartë.

“Kur një qeveri është në dorëheqje, ministrat kanë kompetenca të kufizuara dhe nuk punojnë me kapacitet të plotë. E pikërisht në këtë situatë Kurti po emëron zëvendësministra. Për çfarë? Jo për punë, sepse s’ka punë, as s’ka ndonjë nevojë urgjente. Ai po i emëron ata vetëm që të marrin pagë nga buxheti i shtetit, pa bërë asgjë,” theksoi Bajrami.

Ish-deputetja e LDK-së e quajti këtë sjellje “zhvatje të buxhetit dhe abuzim me pozitën zyrtare.”

Bajrami paralajmëroi se dëmi nuk kufizohet vetëm tek shpenzimet e sotme. Ajo shtoi se “dëmi i vërtetë është standardi që Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur, duke e trajtuar shtetin si pronë partiake, si mjet për të shpërblyer militantët.”

“Këto standarde të ulëta do t’i kushtojnë shumë dhe për një kohë të gjatë këtij vendi. Është koha të shkoni në opozitë, sepse e keni grryer shtetin,” përfundoi Hykmete Bajrami.

Kjo situatë vjen në një periudhë kur vendi po përgatitet për zgjedhje të parakohshme. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 7 qershor për mbajtjen e tyre, pas dështimit të partive politike për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.