**Bajrami: Vendimi për Zgjedhje të Reja, Përgjegjësi e Qeverisë në Detyrë**
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se Kosova po përballet me një krizë të vazhdueshme institucionale dhe rrezikon të shkojë sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Bajrami ka theksuar se, përkundër faktit që janë mbajtur tashmë tri palë zgjedhje, situata po përsëritet, duke e shtyrë vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor. “Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?”, ka pyetur Bajrami.
Ajo ka kundërshtuar ashpër arsyetimet e dhëna për moskonstituimin e Kuvendit, duke përmendur deklaratat se pa një marrëveshje politike nuk mund të konstituohet Kuvendi, pasi një dështim i tillë do ta çonte vendin në zgjedhje. “Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka theksuar deputetja e LDK-së.
Sipas Bajramit, zvarritja e krizës politike ka pasur ndikim negativ në pothuajse çdo sferë të jetës në Kosovë. “E derisa kjo sagë vazhdon dhe tolerohet, nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit të saj, Bajrami i është drejtuar me pyetje të drejtpërdrejta kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar të dijë arsyen e insistimit për një situatë që, sipas saj, po e çon vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve. “Çfarë është synimi i Albin Kurtit? Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve? Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo e ka përmbyllur deklaratën e saj me një pyetje retorike, duke ritheksuar shqetësimin se pse Kosova, pas tri palë zgjedhjeve të mbajtura, po rrezikon të përfundojë sërish në një cikël të ri zgjedhor.
