Prizren: Rojeri Pretendon Tentativë Vrasjeje, Policia e Klasifikon si “Shkaktim Rreziku të Përgjithshëm”
Shaban Bajrami, një roje sigurie në Prizren, pretendon se Kujtim Koçi kishte për qëllim vrasjen e tij, pasi njëri nga plumbat e shtënë la shenjë në dritaren e ambientit ku ai ndodhej, raporton “Betimi për Drejtësi”. Megjithatë, Policia e Kosovës e ka iniciuar rastin si “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe jo si “vrasje e mbetur në tentativë”, siç kërkon Bajrami.
Në një deklaratë të dhënë, Bajrami shprehet i bindur për qëllimin e Koçit: “Ai s’ka ardhur për dasmë, ai ka gjuajtur për të më vrarë. Nëse do të kishte ardhur thjesht për të gjuajtur, do të mund të kishte shkuar diku tjetër. Nuk mund të ketë ardhur te unë, në atë rrugë, pa bërë asgjë, dhe afër KFOR-it, plus ka sa të duash shtëpi të tjera. Pse s’ka gjuajtur në shtëpi tjetër? Ai ka gjuajtur në drejtimin tim. Qoftë i dehur apo përdorues droge, ai ka gjuajtur drejt meje. Ai duhet të japë llogari për këtë”.
Denoncimi penal i Policisë së Kosovës, i dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren, nuk e cilëson veprën si “vrasje e mbetur në tentativë”, por si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Kjo ndodh pavarësisht deklaratës së viktimës, i cili shprehej se “dikush ka tentuar të më qëllojë me armë qëllimisht”, si dhe pamjeve nga kamerat dhe gjurmëve të lëna nga plumbat në objekt. Po ashtu, mbeten për t’u qartësuar rrethanat e tentativës për hapjen e derës dhe hyrjen brenda parcelës, të gjitha këto pjesë e fazave pasuese të procedurës penale.
Sipas kallëzimit penal, më 9 shtator 2025, rreth orës 02:45, në rrugën “Mbreti Pleurat” në Prizren, në hapësirën e ish-pishinës, i dyshuari Kujtim Koçi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri nga rruga në drejtim të një ndërtese administrative. Në një nga zyrat e kësaj ndërtese ndodhej roja e objektit, jeta dhe siguria e të cilit u rrezikua seriozisht. Për këtë, Koçi dyshohet se ka kryer veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Gjatë bastisjeve të kryera në dy shtëpitë e Koçit, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, siç janë:
* Një (1) karikator për pushkë automatike AK-47
* Tetë (8) fishekë të kalibrit të pacaktuar (për armë të gjata)
* Një (1) fishek i kalibrit të pacaktuar (për armë të gjata)
* Gjashtë (6) fishekë të kalibrit të pacaktuar (për pistoletë)
* Nëntëdhjetë (90) fishekë të kalibrit të pacaktuar (për pistoletë)
* Një (1) pushkë gjysmë-automatike, me mbishkrimin “Pallmetto”
* Një (1) pushkë gjuetie, me mbishkrimin “ËLIX”
* Katër (4) fishekë të kalibrit të pacaktuar (për armë të gjata)
* Tridhjetë (30) fishekë të kalibrit të pacaktuar (për armë të gjata)
* Një (1) karikator për pushkën “Pallmetto”
* Një (1) pushkë automatike AK-47
* Një (1) fishek i kalibrit të pacaktuar (për pistoletë)
* Tre (3) fishekë për pushkë gjuetie
* Dy (2) fishekë të kalibrit të pacaktuar (për armë të gjata)
