Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar planet e tij për ndërtimin e një autostrade deri në Mitrovicë, duke kërkuar garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një prononcimi sot, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli për projektet infrastrukturore që synon të realizojë. Ai përmendi ndërtimin e një autostrade që do të shtrihet deri në Jarinje, duke theksuar se dëshiron ta zgjerojë atë edhe disa kilometra në thellësi të territorit të Kosovës.

Kreu i shtetit serb theksoi se Serbia do të mbulojë plotësisht koston e investimit, me kusht që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të garantojnë se Prishtina nuk do të pengojë realizimin e këtij projekti.

“Jemi të gatshëm të paguajmë për ndërtimin, konkretisht 45 kilometra autostradë deri në Mitrovicë. Ne do të mbulojmë çdo shpenzim, çmimin e plotë, vetëm që amerikanët të sigurohen se Prishtina nuk do të shkaktojë probleme në këtë çështje,” citohet të ketë thënë Vuçiq.