Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata të Kosovës, pritet të përfitojnë së shpejti nga përdorimi i telefonisë celulare në vendet e Bashkimit Evropian pa tarifa shtesë të roamingut. Komisioni Evropian ka nisur negociatat me gjashtë vendet e rajonit, me synimin që telefonatat dhe interneti mobil të përdoren sipas kushteve të paketave vendase, duke eliminuar pagesat shtesë që aplikohen aktualisht për roamingun. Ky lehtësim synohet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Nisma, e paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në rajon në tetor, ka si objektiv t’u mundësojë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të përdorin telefonat e tyre në BE pa kosto shtesë. Kjo do të thotë se ata që udhëtojnë nga rajoni drejt vendeve anëtare të BE-së, dhe anasjelltas, do të kryejnë telefonata, do të dërgojnë mesazhe dhe do të përdorin internetin mobil me të njëjtat tarifa si në shtetin e tyre.
Procesi përfshin disa faza. Fillimisht, Komisioni Evropian do të negociojë veçmas me secilin prej gjashtë shteteve partnere të Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtyre bisedimeve, vendet duhet të harmonizojnë legjislacionin dhe rregullat e tyre me ato të Bashkimit Evropian për shërbimet e roamingut. Kjo përfshin rregullat teknike dhe bashkëpunimin ndërmjet operatorëve të telekomunikacionit. Pasi të përfundojnë marrëveshjet dypalëshe dhe të konfirmohet se vendet kanë përmbushur kërkesat evropiane, Komisioni do t’i propozojë Këshillit të BE-së zgjerimin e zonës së roamingut për të përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.
Synimi mbetet që heqja e tarifave shtesë të roamingut të bëhet realitet në fillim të vitit të ardhshëm.
