Barcelona kërkon të përforcojë sulmin me sulmuesin e dytë të Atleticos, Alexander Sorloth.

Barcelona po kërkon të përforcojë sulmin këtë verë. Objektivi kryesor për pozicionin e qendërsulmuesit, raportohej prej kohësh, ishte Julian Alvarez i Atletico Madridit.

Megjithatë, klubi madrilen ka refuzuar kategorikisht shitjen e tij, duke detyruar katalanasit të shqyrtojnë alternativa të tjera.

Sipas raporteve të “Marca”, Barcelona tashmë ka shprehur interes për sulmuesin tjetër të Atletico Madridit, Alexander Sorloth.

Sulmuesi norvegjez ka bërë një paraqitje të mirë në Spanjë dhe vlerësohet për fizikun dhe përshtatshmërinë e tij me sistemin e trajnerit Hansi Flick. Klubi katalanas thuhet se ka bërë edhe një kërkesë zyrtare për shërbimet e lojtarit.

Plani fillestar i Barcelonës ishte mbajtja e Robert Lewandowskit edhe për një sezon tjetër, me një rol më të kufizuar dhe pagë më të ulët. Por sulmuesi 37-vjeçar po shqyrton opsione të tjera dhe mund të largohet në fund të sezonit.

Nëse kjo ndodh, Barcelona do të mbetej me pak opsione natyrale në sulm, ku aktualisht si alternativë mbetet vetëm Ferran Torres në rolin e qendërsulmuesit.

Sorloth, i cili ka kontratë edhe për dy vite me Atletico Madridin, ka qenë një kundërshtar i vështirë për Barcelonën në të kaluarën, duke shënuar 7 gola dhe duke dhënë 3 asistime në 15 ndeshje kundër tyre. Në total, ai ka shënuar 17 gola në 47 ndeshje me Atletico Madridin.

Ndërsa më parë Barcelona ishte lidhur me emra si Victor Osimhen, mungesa e opsioneve konkrete po e bën Sorlothin një alternativë më të realizueshme dhe funksionale për nevojat aktuale të ekipit, edhe pse me një profil më pak të bujshëm.