Dimal Basha: Këmbëngulja e opozitës për kryetarin e Kuvendit dhe bojkotimi i presidentit, skenar drejt zgjedhjeve të reja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka deklaruar se këmbëngulja e partive opozitare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa njëkohësisht paralajmërojnë mosmarrje pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, tregon sipas tij një përpjekje për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ai theksoi se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që partitë politike të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje për funksionalizimin e të gjitha institucioneve, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe presidentit.

“Duke bërë një analizë të shkurtër të qëndrimit të opozitës, mund të them se këmbëngulja e tyre për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të përfshinte edhe zgjedhjen e kryeministrit, e po ashtu edhe të presidentit. Nëse insistojnë kaq shumë për kryetarin e Kuvendit, por pastaj deklarojnë hapur dhe qartë se nuk do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, kjo tregon se synojnë të na dërgojnë në zgjedhje të reja. Prandaj, insistimi ynë është që të punojmë dhe të diskutojmë. Kryeministri ka bërë ftesa të vazhdueshme për të pasur një diskutim me subjektet politike, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe presidentit. Të jesh këmbëngulës për ‘zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit’, por në të njëjtën kohë të deklarosh ‘nuk do të jemi prezentë për presidentin’, tregon që dëshiron të na dërgojë përsëri në zgjedhje. Ne bëjmë thirrje të kundërtën: të arrihet marrëveshje për të gjitha me opozitën. Ky është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje, ky është qëndrimi i kryeministrit Kurti, dhe mendoj që është qëndrimi më parimor, që transformon edhe kërkesën e vetë opozitës, të cilët kanë deklaruar vazhdimisht se duhet të arrihet marrëveshje ose për të gjitha, ose për asgjë”, tha Basha.