Bashkia e Tropojës e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” Gëzim Arifin për promovimin e Tropojës në diasporë. Titullin i ka ndarë Bashkia e Tropojës duke e vlerësuar lart personalitetin e tij. “Me nder dhe mirënjohje të thellë pranoj titullin “Qytetar Nderi”, të akorduar nga Bashkia Tropojë.
Shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për Kryetarin e Bashkisë, Këshillin Bashkiak dhe qytetarët e Tropojës për këtë vlerësim të lartë, i cili përbën një nder të veçantë dhe një përgjegjësi të madhe.

E konsideroj këtë titull jo vetëm si një vlerësim për angazhimin tim personal, por edhe si një vlerësim për çdo përpjekje të bërë në shërbim të ruajtjes, promovimit dhe përcjelljes së historisë, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar shqiptar, si dhe për forcimin e lidhjeve të bashkëkombësve tanë me rrënjët dhe trashëgiminë e tyre, kudo që jetojnë.

Ky vlerësim më motivon të vazhdoj me përkushtim edhe më të madh në misionin tim, me bindjen se ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore e historike është një detyrim i përhershëm ndaj kombit dhe brezave që do të vijnë.
Mirënjohje të përjetshme Bashkisë Tropojë, institucioneve të saj dhe qytetarëve të kësaj treve të lavdishme për besimin, respektin dhe nderin që më kanë dhënë.
Me respekt dhe përulësi, ju falënderoj nga zemra” shkruan Arifi në letër falënderim.
