Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka folur pas fitores së bindshme 4:1 të skuadrës së tij ndaj Vushtrrisë në xhiron e 14-të të Superligës së Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e ekipit dhe duke veçuar disa detaje të ndeshjes.

Batatina theksoi se pushimi për ndeshjet e kombëtareve i ka shërbyer skuadrës për t’u përgatitur sa më mirë, ndërsa shtoi se Vushtrria është respektuar maksimalisht pavarësisht pozitës në tabelë, transmeton IndeksOnline.

“Kemi pasur kohë të mjaftueshme për shkak të pushimit të kombëtareve. E kemi vlerësuar lart Vushtrrinë. Llapit nuk i intereson se në çfarë pozite ndodhet kundërshtari”, u shpreh tekniku llapjan.

Ai komentoi gjithashtu golin e pësuar nga skuadra e tij, duke vënë në pah gabimin e portierit, por u shpreh i kënaqur me sigurinë që po tregon ekipi në fushë.

“Mendoj se te goli i Vushtrrisë portieri gaboi dhe duhej të ishte më i kujdesshëm. Llapi e meriton të jetë më lart në tabelë. Fillimi i sezonit nuk ka qenë i mirë për shkak të lëndimeve. Më gëzon fakti që skuadra po luan sigurt”, tha Batatina.

Në fund, trajneri i Llapit u ndal edhe te humbjet e pësuara në shtëpi, duke vlerësuar se ekipi ka bërë paraqitje të mira, por ka paguar çmimin e detajeve.

“Mendoj se në ndeshjet që Llapi i ka humbur në ‘Zahir Pajaziti’, nuk kemi luajtur keq, por ndoshta detajet e vogla kanë bërë që të mos i marrim pikët”, përfundoi Batatina.