Trajneri i KF Llapit, Tahir Batatina, ka uruar sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku, për transferimin e tij te Spartaku i Moskës, duke kujtuar se kishte besuar te potenciali i tij që në hapat e parë të karrierës.

Batatina, i cili e kishte pasur Dakun lojtar në Superligën e Kosovës, tha se talenti dhe karakteri i sulmuesit ishin të dukshme që në moshë të re, ndërsa transferimi i tij te një klub i madh është shpërblim për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm, shkruan Indeksonline

“Kishin qenë vitet kur shumë pak njerëz besonin se një ditë do të bëheshe një yll i futbollit. Për mua nuk ishte aspak e vështirë të besoja te ti që në ditët e para, sepse te një djalë i ri pashë talentin, karakterin dhe potencialin për të arritur nivelet më të larta.

“Sot jam i lumtur dhe krenar kur shoh transferimin tënd te një super skuadër dhe vlerën milionëshe të këtij transferimi. Kjo është dëshmia më e mirë se besimi te talenti dhe puna e palodhur gjithmonë shpërblehen.

Pikërisht për këtë arsye talentet më besojnë dhe çdo ditë e më shumë po i bashkohen projektit tim te Llapi. Besimi te të rinjtë, puna dhe vizioni janë rruga drejt suksesit.

“Të uroj shëndet, suksese dhe sa më shumë arritje në këtë kapitull të ri të karrierës!”, ka shkruar Batatina.

Kujtojmë se, siç raportoi Indeksonline, Mirlind Daku pritet t’i nënshtrohet nesër testeve mjekësore te Spartaku i Moskës, para se të firmosë një kontratë 3+1-vjeçare. Sulmuesi shqiptar pritet të përfitojë deri në 4 milionë euro në sezon, ndërsa transferimi i tij konsiderohet një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj vere për një futbollist shqiptar./Indeksonline/