Bayern Munichu dhe Arsenali do të përballen sonte në një nga ndeshjet më interesante të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Në “Allianz Arena” pritet një përballje mes dy skuadrave me karakteristika të ndryshme, por me rezultate mbresëlënëse në Evropë.
Bavarezët e drejtuar nga Vincent Kompany kanë treguar forcë të madhe në sulm, ndërsa skuadra e Mikel Artetës është dalluar për organizimin mbrojtës dhe portën e paprekur.
Bayerni, makineri golash
Bayern Munichu i ka shënuar tetë gola në dy ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Në të njëjtën periudhë, vetëm Aston Villa ka realizuar më shumë gola, ndërsa skuadrat tjera që e kanë kaluar këtë shifër e kanë zhvilluar tashmë edhe ndeshjen e tretë.
Skuadra gjermane i ka katër pikë pas dy takimeve dhe synon ta shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase për ta marrë një fitore të rëndësishme në garën për kualifikimin direkt në fazën e 1/8 së finales.
Arsenali, ende pa gol të pësuar
Në anën tjetër, Arsenali ka nisur në mënyrë të përsosur rrugëtimin evropian.
“Topçinjtë” kanë fituar të dyja ndeshjet e para dhe janë skuadra e vetme që ende nuk ka pësuar gol në këtë edicion të Ligës së Kampionëve.
Londinezët fituan 1-0 në udhëtim ndaj Napolit, përpara se ta mposhtnin Lilën me rezultat 3-0.
Këto rezultate dëshmojnë se skuadra e Artetës nuk mbështetet vetëm te potenciali ofanziv, por edhe të një mbrojtje që deri tani nuk u ka dhënë hapësirë kundërshtarëve.
Sulmi i Bayernit kundër mbrojtjes së Arsenalit
Përballja në Mynih do të jetë një provë e rëndësishme për të dyja skuadrat.
Bayerni do të synojë ta vazhdojë serinë e golave, ndërsa Arsenali do të përpiqet ta ruajë portën e paprekur edhe përballë njërit prej sulmeve më produktive të garës.
Dy skuadrat vijnë me objektiva të qartë: Bayerni kërkon të përfitojë nga mbështetja e tifozëve, kurse Arsenali synon ta vazhdojë serinë e fitoreve dhe të dëshmojë se mund të jetë po aq i fortë edhe në udhëtim. /Express
