BBC mbi sigurinë në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë: A ishte e mjaftueshme?

**BBC** – Po mësojmë më shumë detaje rreth masave të sigurisë gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Duke parë pas, shumë do të pyesin veten nëse ato ishin të mjaftueshme.

Hoteli u mbyll për publikun rreth orës 14:00 sipas orës lokale (19:00 BST), me hyrje të kufizuar vetëm për mysafirët e hotelit dhe ata me bileta për ngjarjen apo për ndonjë nga pritjet private të organizuara para dhe pas aktivitetit kryesor.

Personalisht, më dukej disi e çuditshme që, rreth orës 17:30 (22:30 BST), të hyja në hollin qendror të hotelit dhe të shihja mysafirë të tjerë duke ngrënë e pirë vetëm pak metra larg politikanëve të shquar dhe përfaqësuesve të medias.

Ftesat nuk u kontrolluan në hyrje të hotelit; megjithatë, m’u desh t’ia tregoja shkurtimisht një rojeje për të hyrë në ambientet e tij. Biletat nuk kishin emra, por vetëm numra tavolinash, dhe në asnjë moment nuk m’u kërkua të tregoja ndonjë formë identifikimi.

Mysafirët kaluan vetëm një herë nëpër detektorë metali, pak para se të hynin në një zonë të madhe pritjeje ku shërbeheshin pije. Të shtënat ndodhën pikërisht në këtë zonë, e cila ishte një kat më sipër se salla kryesore e festës.

Megjithatë, disa persona me të cilët kam biseduar kujtojnë se ishin disi të habitur nga mënyra si ishte kryer kontrolli i sigurisë.

Një mik i imi më tha këtë mëngjes se detektori i metalit kishte rënë për shkak të një cigareje elektronike në xhepin e tij, por e kishin lejuar të kalonte pasi ai i shpjegoi oficerit se çfarë ishte.