Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj Kuvendit themelues të VLEN-it në Tetovë, duke e akuzuar koalicionin qeveritar se po promovon narrativën e “bashkimit” në një kohë kur, sipas tyre, ka kontribuar në dobësimin e të drejtave të shqiptarëve.
Nga BDI thonë se vetëm një ditë pasi shumica qeveritare miratoi në lexim të parë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pa kuota etnike dhe pa mekanizma mbrojtës, VLEN organizoi aktivitetin e tij politik në Tetovë duke folur për bashkim kombëtar.
Partia opozitare vlerëson se pas dy vitesh në pushtet, bilanci i VLEN-it karakterizohet nga dobësimi i mekanizmave të përfaqësimit, relativizimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe mungesa e reagimit ndaj vendimeve që, sipas tyre, cenojnë barazinë e shqiptarëve.
BDI ka vënë në pikëpyetje edhe organizimin e brendshëm të VLEN-it, duke pretenduar se koalicioni përballet me mospajtime dhe qendra të shumta vendimmarrjeje, gjë që sipas tyre e bën të pabesueshëm pretendimin për bashkimin e shqiptarëve.
Në reagim kritikohet edhe fakti që VLEN ka përmendur mbledhjen e 1300 nënshkrimeve si sukses politik, ndërsa BDI pyet se ku janë rezultatet konkrete për shqiptarët pas dy vitesh pjesëmarrje në qeveri.
“Shqiptarët kanë nevojë për përfaqësim real, mbrojtje të të drejtave dhe rezultate konkrete, e jo për slogane dhe spektakle partiake”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti kërkon përgjigje nga VLEN lidhur me, siç thotë, pranimin e çmontimit të mekanizmave që garantonin përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke theksuar se qytetarët do t’i gjykojnë partitë politike për rezultatet dhe jo për retorikën e tyre politike.
