Mehmetaj: Mihali dhe Kurti janë armiq të Kosovës, duhet të luftohen si të tillë

Gazetari Lirim Mehmetaj, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka deklaruar se Dejona Mihali dhe Albin Kurti duhet të japin llogari lidhur me atë që ndodhi në vitin 1999, nëse ajo nuk ishte luftë.

Ai gjithashtu ka theksuar se Kurti dhe Mihali janë armiq të Kosovës dhe si të tillë duhet dhe do të luftohen.

Në postimin e tij të plotë, Mehmetaj ka vënë në pikëpyetje pretendimet e Mihalit (dhe, sipas tij, të Lëvizjes Vetëvendosje) se lufta në Kosovë ka zgjatur vetëm një vit. Ai pyet: “Nëse lufta përfundoi në qershor 1999 dhe zgjati vetëm një vit, çfarë ishte duke bërë Adem Jashari kur vdiq në mars 1998?”

Po ashtu, ai ka përmendur heroizmin e Zahir Pajazitit në vitin 1997, aksionet e armatosura kundër forcave serbe që nga viti 1992/93 nga njerëz që më vonë themeluan UÇK-në, si dhe aksionet kundër stacioneve të milicisë serbe deri në vitin 1997. Mehmetaj ka sjellë në vëmendje edhe grupet e të rinjve kosovarë që shkonin për stërvitje ushtarake në Shqipëri që në vitin 1991. Ai e pyet Mihalin nëse mendon se ata ishin terroristë, ashtu siç i quante Serbia.

“Deklarimi se lufta në Kosovë zgjati vetëm një vit, do të thotë të shkelësh mbi gjakun e dëshmorëve dhe mbi përpjekjen kolosale, të paimagjinueshme, të brezave të tërë, të cilët për dekada zhvilluan luftë aktive me Serbinë. Nëse para vitit 1999 nuk paska pasur luftë në Kosovë, atëherë Dejona Mihali duhet të japë llogari se çfarë ka qenë ajo periudhë,” shkruan Mehmetaj.

Ai shton se llogari duhet të japë edhe Albin Kurti, pasi Mihali “thjesht transmeton atë që ai ende frikësohet ta thotë vetë publikisht.”

Postimi përmbyllet me akuzën e prerë: “Ju jeni armiq të Kosovës. Ju duhet të luftoheni si armiq. Ju do të luftoheni si armiq.”