Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka bërë thirrje për forcimin e partneritetit strategjik mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, duke e cilësuar atë si një investim kyç për sigurinë dhe prosperitetin e Evropës.

Në konferencën për shtyp pas samitit të dytë BE-Britani e Madhe, të mbajtur në Bruksel, Costa theksoi se bashkëpunimi dypalësh është thelbësor për t’u përballur me sfidat e përbashkëta në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më komplekse.

“Një partneritet i fortë mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe është një investim strategjik për sigurinë e Evropës. Por është gjithashtu një investim në prosperitetin tonë të përbashkët, në inovacion, konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri. Nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një ekonomi më të fuqishme,” deklaroi Costa.

Ai vuri në dukje se siguria dhe zhvillimi ekonomik janë të ndërlidhura, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë drejt rritjes së konkurrueshmërisë së kompanive, krijimit të vendeve cilësore të punës dhe përballueshmërisë së kostos së jetesës për qytetarët.

Siguria dhe mbrojtja e Evropës, veçanërisht në kushtet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ishin ndër temat kryesore të samitit. Costa vlerësoi rolin e Britanisë së Madhe në Koalicionin e të Gatshmëve dhe rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për mbështetjen politike, financiare dhe ushtarake të Kievit, deri në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Sipas Presidentit të Këshillit Evropian, bashkëpunimi mes BE-së dhe Londrës ka sjellë rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset, ndërsa samiti i Brukselit përbën një tjetër hap drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kanë qenë gjithashtu në qendër të procesit të afrimit mes dy palëve që pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.