Bashkimi Evropian po përgatit një mekanizëm të ri për reagimin ndaj kërcënimeve hibride, duke përfshirë sabotazhet, sulmet kibernetike dhe incidentet me dronë.
Nisma synon t’u mundësojë vendeve anëtare që të reagojnë më shpejt dhe në mënyrë të koordinuar ndaj kërcënimeve që nuk arrijnë nivelin e një sulmi të drejtpërdrejtë ushtarak.
Megjithatë, BE-ja ka bërë të qartë se mekanizmi i ri nuk do të krijohet për të zëvendësuar apo kopjuar strukturat e NATO-s.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha pas takimit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Bruksel se mekanizmi duhet të funksionojë në koordinim të ngushtë me NATO-n.
“Shumë prej tyre theksuan se ky mekanizëm duhet të jetë plotësues me NATO-n. Nuk po krijojmë diçka paralele apo shtesë, por kjo duhet të funksionojë krah për krah”, tha Kallas.
Ideja për krijimin e një “Protokolli Emergjent të Sigurisë” u prezantua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit për Gjendjen e Bashkimit në shtator.
Von der Leyen e ka krahasuar mekanizmin me Nenin 4 të NATO-s. Ky nen u mundëson vendeve anëtare të kërkojnë konsultime kur konsiderojnë se siguria ose integriteti territorial i tyre është i kërcënuar. Ai ndryshon nga Neni 5, i cili lidhet me mbrojtjen kolektive.
Në takimin në Bruksel u diskutua edhe situata e sigurisë në Ukrainë dhe nevoja e saj për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Evgeniy Khmara, i informoi ministrat evropianë përmes videolidhjes për situatën në front.
Kallas tha se mbrojtja ajrore mbetet prioriteti kryesor për Ukrainën, e cila ka kërkuar më shumë raketa për sistemet “Patriot”.
Megjithatë, takimi nuk solli zotime të reja konkrete për dërgimin e baterive shtesë “Patriot”. Spanja dhe Greqia, të përmendura si vende që mund të kontribuojnë, kanë shprehur shqetësime për nevojat e tyre të sigurisë.
Ndërkohë, BE-ja po shqyrton mënyra të tjera për të përshpejtuar blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Një paketë ndihme prej 6.1 miliardë eurosh tashmë është miratuar dhe përfshin radarë, raketa dhe municione.
